Giovanni Galeone thotë se kohës së Allegrit te Juventusi i ka ardhur fundi.
E fitoi apo jo Champions Leaguen, Massimiliano Allegri do t’i thotë lamtumirë Juventusit në fund të sezonit aktual.
Kështu ka thënë këshilltari i trajnerit italian, Giovanni Galeone, sipas të cilit, kohës së Allegrit te Juventusi i ka ardhur fundi, e fitoi apo jo Ligën e Kampionëve, trofe për të cilin kishte refuzuar klube të mëdha ndër vite.
E ardhmja e Allegrit është në dyshim pas humbjes befasuese 2-0 nga Atletico Madridi në ndeshjen e parë në Champions League.
Galeone pret që Allegri të largohet nga “Zonja e Vjetër” në një të ardhme të afërt.
“Unë tashmë i kam thënë atij, pesë vite më parë, që të shkojë në Premierligë”, tha 78-vjeçari për “Radio Kiss Kiss”.
“Nuk mendoj se mund të shkojë në ndonjë klub tjetër në Itali. Pavarësisht se çfarë do të ndodhë në Champions, mendoj se i ka ardhur fundi aventurës së tij në Juve”.
“Vitin e kaluar ai ka mundur të shkojë në Chelsea, Arsenal, Manchester United apo Real Madrid, por refuzoi sepse donte të fitojë Ligën e Kampionëve me Juventusin”.
Galeone ndër të tjera tha se Allegri e Juve duhet të besojnë në rikthim, pas humbjes 2-0 nga Atletico në ndeshjen e parë.