
Drejtori i ri teknik i Juventusit, François Modesto, ka dhënë një intervistë për Tuttosport, ku ka folur për fillimet e tij te Zonja e Vjetër, lidhjen me Adriano Gallianin dhe të ardhmen e sulmuesit Dusan Vlahovic.
Nga kampi stërvitor i Juves në Herzogenaurach të Gjermanisë, Modesto tregoi se Galliani ishte personi i parë që kontaktoi pasi u zyrtarizua te Juventusi, transmeton ORAinfo.
“E falënderova shumë. Kalova dy vjet e gjysmë me Doktorin dhe ishte si universiteti i futbollit,” – deklaroi ai. “Ai më ka dhënë shumë, më ka mësuar shumë. Flasim ende një ose dy herë në javë. Edhe me Presidentin Berlusconi kam kujtime të veçanta, por i mbaj për vete.”
Pyetur për një interes të mundshëm të Milanit për Dusan Vlahovicin, Modesto u tregua diplomatik:
“Nuk flasim për tregun e transferimeve, vetëm për çështje personale. Dusan po stërvitet mirë dhe është një profesionist i vërtetë. Ai është lojtar i Juventusit.”
Galliani drejt rikthimit te Milani?
Në sfond, media italiane po aludon për një rikthim të mundshëm të Adriano Gallianit te Milani, pasi pritet që më 9 shtator të finalizohet shitja e Monzës te pronarët e rinj amerikanë. Thuhet se një marrëveshje paraprake me Gerry Cardinale është arritur dhe Galliani mund të marrë sërish rolin e Drejtorit të Futbollit te Rossonerët.
Në këtë kuadër, emri i Dusan Vlahovicit mbetet një ndër objektivat e mundshëm për repartin ofensiv të Milanit, megjithëse operacioni konsiderohet i kushtueshëm dhe kërkon durim. /ORAinfo/