Ndryshe nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje është shprehur për FrontOnline Ganimete Musliu, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) e cila akuzon Kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin e tij për manipulim të statistikave dhe për mosrealizimin e premtimeve ndaj qytetarëve. Musliu thotë se, pavarësisht deklaratave optimiste, askush nuk beson më në to, duke e cilësuar Kurtin si demagog dhe mashtrues.
“Albin Kurtit dhe kabineti të tij qeveritar edhe nëse thonë se bora është e bardhë më si beson askush. Aq shumë kanë rrejt e kanë mashtruar aq shumë kanë manipuluar me shifra e kanë bërë propagandë aq shumë kanë abuzuar me pushtetin sa që nuk ka qytetarë në Kosovë që se ka kuptuar mashtrimin e tij e që i beson”, deklaron Musliu.
Ajo thekson se rritja e papunësisë dhe varfërisë është evidente, me 350 mijë familje që po përballen me pasiguri financiare dhe kushte jetese të vështira. Musliu nënvizon se çmimet e produkteve dhe shërbimeve janë rritur ndjeshëm, duke e bërë jetesën edhe më të vështirë për qytetarët.
“ Po ashtu e vërteta është se në rrafshin e mirëqenies së qytetarëve, ka thellim në varfëri, dhe shtim i numrit të të varfërve. Ka rritje të paprecedent të çmimeve në të gjitha produktet e shërbimet dhe ka inflacion rrënues në produktet themelore për jetesë. 350 mijë familje kosovare sot jetojnë më keq ekonomikisht, janë më të pasigurta financiarisht dhe më të cenueshme nga kostoja e jetesës”, thotë Musliu
Ajo gjithashtu kritikon favorizimin e familjarëve dhe militantëve të qeverisë për punësim, duke sugjeruar se shumica e popullsisë është lënë jashtë mundësive për punë. Musliu përfundon duke shprehur shpresën se pas 100 ditëve, qytetarët do t’i japin një përgjigje të qartë qeverisë për ato që e quan manipulim dhe abuzim me pushtetin.
“Familjarët, dostat, e militantët e Albinit e qeverisë se tij janë punësuar për ndryshe e vetmja gjë që ka shënuar rritje në Kosovë është; zhgënjimi, dhe numri i qytetarëve që e lëshojnë Kosovën, Por e mira është se pak më shumë se 100 ditë kanë mbetur dhe ky demagog klasik, mashtrues e manipulant do të merr atë qe meriton nga qytetarët”, përfundon Musliu.