Ganimete Musliu e konsideron skandaloz vendimin për uljen e shtesave

12:56 | 20 Maj 2021

Musliu e konsideron skandaloz vendimin për uljen e shtesave.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka thënë sot në seancë plenare se është i turpshëm vendimi për ndalimin e shtesave të pandemisë për pensionistët, policët e stafin shëndetësorë.

Ajo tha se me këtë vendim, janë fyer dhe është zhvlerësuar puna e policëve, punëtorëve shëndetësor, dhe është prekur dinjiteti i rreth 180 mijë pensionistëve prej tyre 140 mijë pensionistëve bazik që marrin pension social.

“Në vend se të rritej mbështetja ekonomike e financiare për ekonominë e goditur nga pandemia dhe për mjekët e punëtorët shëndetësorë, për policët e doganierët, për pensionistët e kategoritë e tjera, ndodhi e kundërta – qeveria përgjysmoi ndihmën për disa kategori dhe i anuloi krejt për disa të tjera. Si deputete dhe qytetare e kam marrë me shqetësim këtë vendim të qeverisë Kurti dhe e konsideroj skandaloz, dhe një goditje të madhe ndaj heronjve të pandemisë, mjekëve e punëtorëve shëndetësorë, ndaj gjyshërve tanë, e ndaj policëve që mbajnë rendin dhe zbatojnë ligjin çdo ditë, e të cilët fatkeqësisht kanë qenë më të rrezikuarit në këtë kohë të pandemisë”, tha Musliu.

Ndër të tjerash, Musliu tha se me vendimin e Qeverisë për uljen e shtesave, janë fyer dhe është zhvlerësuar puna e policëve, punëtorëve shëndetësor, dhe është prekur dinjiteti i rreth 180 mijë pensionistëve prej tyre 140 mijë pensionistëve bazik që marrin pension social.

“Le ta dinë edhe qytetarët se rreth gjysmë milionë euro mbështetje për zyrtarët e Shërbimit Korrektues, Inspektorët e AVUK-ut, Doganave dhe ATK-së janë anuluar nga qeveria Kurti. Janë ndarë vetëm rreth 4 milionë euro për shtesa për sektorët e rrezikuar direkt nga pandemia, pra sektorin shëndetësor, ndërkaq më herët ishin paraparë 11 milionë euro. Pra, rreth 7 milionë euro më pak. Për pagat në gastronomi, shtesat prej 50 % janë neto, ndërsa për mjekët, infermierët, policët këto shtesa janë bruto dhe atë të përgjysmuara. Për skemat pensionale janë ndarë mjete 9 milionë euro më pak se sa ishin ndarë me vendimin e mëparshëm e të anuluar. Pra me këtë logjikë qeverisëse, Qeveria Kurti me vetëdije po e çon drejt kolapsit ekonominë e vendit, po humb vende pune e po rrezikon mijëra familje. Me këtë logjikë, Qeveria Kurti po i lë pa përkujdesje shtetërore mjekët, punëtorët shëndetësorë e pensionistët, si disa nga kategoritë më të rrezikuara nga pandemia”, tha deputetja e PDK-së.

Komento: