Ganimete Musliu thotë se Komisioni për ‘gylenistët’ është politik dhe jo hetimor

13:07 | 08 Maj 2019

Ganimete Musliu për Komisionin për ‘gylenistët’ ka thënë se është politik dhe jo hetimor.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, që është edhe anëtare e Komisionit hetimor parlamentar për deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, tha se deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, e ka politizuar komisionin.

Musliu këto deklarata i dha pas mbledhjes së Komisionit ku u intervistuan shefi i AKI-së Shpend Maxhuni dhe ish-shefi i kësaj agjencie, Driton Gashi.

Selmanaj tha se PDK-ja po mundohet ta dëmtojë punën e Komisionit ndërsa Musliu tha se kolegu i saj nga LDK-ja nuk e ka lejuar Kryetarin e Komisionit që të hedh në votim propozimin e Hajdar Beqës që të dërgohet në zyrën ligjore kërkesa e Presidentit Hashim Thaçi për raportin e ekspertit ndërkombëtar, raporton Ksp.

“Këta e panë që nuk munden me i rezistu këtij vendimi dhe e lëshuan mbledhjen. Presidentin e kanë ftuar gjithmonë kur ka qenë për vizita jashtë vendit. Këto parti nuk mund të mbijetojnë skenës politike. Nuk është mbyllur takimi i rregullt, e ka mbyllur Driton Selmanaj”, tha Musliu.

Sipas saj, Komisioni është lojë dhe tendencë politike që të bëjnë politikë.

Musliu thotë se ata nuk janë komision hetimor por komision puro politik.

“E shfrytëzojmë për politikë dhe kjo vjen nga partitë opozitare”, tha Musliu.

Komento: