Gara flet pas gërmimeve në Tusuz e Prekaz, thotë se varrezat janë në fokus

18:02 | 10 Nëntor 2023
gara-flet-pas-germimeve-ne-tusuz-e-prekaz,-thote-se-varrezat-jane-ne-fokus

Pas gjetjes së sotme të mbetjeve mortore, apo pjesëve eshtrore, në Tusuz të Prizrenit, të cilat dyshohen se i takojnë listës së personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, institucionet do ta kenë edhe më shumë në fokus të hulumtimeve këtë lokacion.

“Varësisht nga rezultati i gërmimeve sot, ne do ta vlerësojmë në qoftë se kemi bazë për t’u rikthyer në këtë lokacion. Lokacioni në Tusuz në vazhdimësi është pjesë e agjendës së punës së Komisionit dhe institucioneve përkatëse, ashtu siç ka qenë pjesë e mekanizmave të institucioneve ndërkombëtare”, ka theksuar Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për personat e zhdukur.

Gara në “Info Plus” të RTK-së ka theksuar se hapësirat e varrezave në qytete të mëdha janë prej zonave ku është përqendruar vëmendja për gërmime. Ai ka përmendur varrezat në lagjen Arbëria në Prishtinë, Brekoc në Gjakovë si dhe varrezat e Pejës e Mitrovicës.

“Sipas të dhënave që posedojmë, tanimë të konfirmuar, forcat serbe ushtarake gjatë luftës në përpjekjet e tyre të fshehjes së gjurmëve të krimeve, kanë përdorur hapësirat e varrezave të qyteteve të mëdha për groposoje apo varrosje të kufomave”, ka thënë Gara.

Ai ka theksuar se sfida kryesore në procesin e gjetjes së personave të zhdukur vazhdon të jetë mungesa e informacioneve të sakta. Gara ka dhënë detaje edhe për gërmimet që janë realizuar dje në Prekaz.

“Dje në Prekaz është treguar se bëhet fjalë për minimumin për 3 persona të zhdukur, lokacioni do të ritrajtohet sepse në bazë të dhënave që kemi shqyrtuar, kërkesa jonë ka qenë gjetja e 5 personave”, ka theksuar ai.

Komisioni Qeveritar për personat e zhdukur deri më tani ka realizuar gërmime në 13 lokacione në Kosovë, në përpjekje për gjetjen e personave të zhdukur nga lufta e fundit, transmeton RTKlive.

Komento: