
Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti për çështjen e zgjedhjes së presidentit, kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se LDK-ja nuk preferon të ketë garë për postin e presidentit, për shkak se do të dështonte dhe se është e vështirë të sigurohen 81 vota në Kuvend.
“Për garë, LDK nuk beson që ka zgjidhje, pasi kjo është procedurë e paracaktuar për të dështuar. Nëse LVV dhe PDK vendosin për garë, atëherë shkojmë në zgjedhje sipas gjasave, sepse nuk dihet sesi do të arrihen 81 vota,” tha Abdixhiku.
Ai shtoi se LDK-ja ka qenë gjithmonë e angazhuar për të gjetur një kandidat konsensual, por aktualisht nuk ka një emër të përbashkët.
“Herën e kaluar kemi pasur tri alternativa. Në parim, kryetari i LVV-së ka kërkuar 85 vota, që do të thotë se marrëveshja politike me LDK-në nuk bëhet për 85 vota,” shtoi Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së theksoi gjithashtu se partia nuk ka diskutuar ende për marrëveshje politike me LVV-në,
Abdixhiku u pyet gjithashtu nëse kanë votë për presidenten aktuale Vjosa Osmani.
Ai u shpreh se në këtë fazë nuk kanë qëndrime refuzuese ndaj askujt e aq më pak ndaj presidentes Osmani.
“Nuk kemi thënë asnjëherë kemi apo nuk kemi votë për zonjën Osmani. Në këtë fazë nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt e aq më pak ndaj zonjës Osmani”, tha Abdixhiku.
Ai u shpreh se LDK-ja i sugjeron të provohet konsensusi përpara se të shkohet në garë.
Takimi vjen në një moment kur afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit po afrohet, dhe partitë parlamentare përpiqen të gjejnë një marrëveshje për të shmangur zgjedhje të jashtëzakonshme. /Telegrafi/