Gashi i Administratës Publike: Me pagë 550 s’mund të mbahet familja, kjo është ndihmë sociale

15:33 | 24 Shkurt 2024
gashi-i-administrates-publike:-me-page-550-s’mund-te-mbahet-familja,-kjo-eshte-ndihme-sociale


Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ali Gashi, po thotë që Qeveria nuk po interesohet për sektorin publik.

Me një pagë prej 550 euro, ai thotë se një familje nuk mund t’ia del.

“Por, siç duket Qeveria nuk është e interesuar për sektorin publik. Qeveria është e interesuar më shumë me nda mjete si formë subvencionesh apo ndihmash shkel e shko, por jo të mendoj më afat gjatë për trajtimin e qytetarëve në radhë të parë e pastaj për sektorin publik që të kenë paga të dinjitetshme. Me një pagë 550 euro nuk e di sa mund t’ia del një familje ose më mirë të them kjo është një ndihmë sociale”, ka deklaruar Gashi për Front Online.

Kryetari Gashi, ka pohuar se kanë qenë kritik gjithmonë sa i përket mënyrës së trajtimit të Ligjit të Pagave nga ana e Qeverisë, duke marrë parasysh rritjen e çmimeve.

Sipas tij, me këto paga që kanë familjet nuk mund ta mbulojnë as dhjetë ditëshin e parë të muajit.

Ndërsa, tregon se dhe interesimi për t’u punësuar në sektorin publik ka rënë.

“Edhe interesimi për t’u punësuar në sektorin publik ka rënë. Është e vështirë të gjesh inxhinier të profileve si arkitekt, elektro, IT të cilët thjesht e gjejnë interesin e vet për t’u punësuar në sektorin publik me këto paga. Është absurde ta mendosh që këto profile të punojnë me paga 500 apo 600 euro. Njeriu punon me një pagë të dinjitetshme që të arrij ta krijojë një bazë ekonomike për vete dhe për familjen. Kjo gjendje, këto paga janë thjesht sociale që nuk të len vetëm sa mos me vdekë urie”, ka thënë ai.

Ndryshe, punëtorët e sektorit publik nga muaji janar i këtij viti kanë marrë pagat me rritje pasi vlera e koeficientit është rritur për 5 euro.

Nga 105 sa ka qenë vitin e kaluar, këtë vit është 110 euro./Front Online/

Komento: