Gashi mbledh Kryeprokurorët për t’i prezantuar 10 prioritetet e para

18:10 | 28 Korrik 2026
gashi-mbledh-kryeprokuroret-per-t’i-prezantuar-10-prioritetet-e-para

Kryeprokurori i ri i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka kërkuar ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme gjatë 100 ditëve të para të mandatit, duke vënë theksin te lufta kundër korrupsionit të profilit të lartë, krimit të organizuar, shpëlarjes së parave dhe sigurisë në trafikun publik.

Këto prioritete u shpalosën sot gjatë një takimi të kolegjiumit me kryeprokurorët e prokurorive përkatëse, i cili u mbajt në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit në Prishtinë.

“Gjatë adresimit të tij, Kryeprokurori Gashi i njoftoi kryeprokurorët me prioritetet kryesore për 100 ditët e para të mandatit që, sipas tij, kërkojnë veprime të menjëhershme institucionale, ndër të cilat: Zhvillimi i hetimeve financiare krahas hetimit dhe ndjekjes penale në rastet e korrupsionit të profilit të lartë, krimit të organizuar, shpëlarjes së parave dhe krimeve të tjera të rënda; Siguria e qytetarëve, luftimi i armëmbajtjes pa leje dhe luftimi i narkotikëve; Mbrojtja e pronës së qytetarëve; Siguria ekonomike dhe juridike e qytetarëve dhe subjekteve që ushtrojnë veprimtari ekonomike; Trajtimi i rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtja e viktimave; Mbrojtja e integritetit të hetimeve dhe të dhënave personale; Ndjekja penale dhe politikë më rigoroze ndëshkimore ndaj personave përgjegjës që rrezikojnë sigurinë në trafikun publik; Krijimi i mekanizmit të ri mbikëqyrëse në kuadër të ZKPSH-së në funksion të ngritjes së cilësisë së punës brenda institucionit të Prokurorit të Shtetit, përkatësisht mbikëqyrjes së cilësisë së aktakuzave të kthyera nga gjykata, aktgjykimet liruese, dështimet procedurale, vërejtjet e gjykatave dhe praktikën gjyqësore, në respektim të plotë të pavarësisë institucionale të Prokurorit të Shtetit; Krijimi i një mekanizmi të brendshëm institucional në kuadër të ZKPSH-së për mbrojtjen e prokurorëve në rastet kur ata atakohen padrejtësisht gjatë ushtrimit të funksionit dhe detyrave të tyre zyrtare; si dhe Forcimi i komunikimit të brendshëm institucional dhe respektimi i vijës hierarkike“, thuhet në njoftim.

Këto çështje Kryeprokurori Gashi i konsideroi si nevojë të kohës, “të cilat synojnë rritjen e efikasitetit në ndjekjen penale, në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe forcimin e besimit të publikut në institucionin e Prokurorit të Shtetit“, thekson kumtesa.

Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga kryeprokurorët që brenda një afati të arsyeshëm kohor, secila prokurori e shkallës së parë t’i paraqesë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit një plan fillestar për trajtimin e çështjeve të përmendura më lart, e të cilat bien në kompetencë lëndore dhe territoriale të tyre.

“Po ashtu, në këtë takim u diskutuan edhe çështje të tjera profesionale. Ndërsa, kryeprokurorët dhe përfaqësuesit e prokurorive raportuan lidhur me gjendjen e përgjithshme të prokurorive të tyre, veçmas për: gjendjen me lëndë të vjetra; efikasitetin në trajtimin e lëndëve; rastet me interes të lartë publik; sfidat kryesore të prokurorive që ata i menaxhojnë, si dhe nivelin e zbatimit të SMIL-it në secilën prokurori. Në përmbyllje të takimit, Kryeprokurori i Shtetit, z. Zejnulla Gashi, garantoi mbështetjen e plotë institucionale dhe u ofroi bashkëpunim të ngushtë të gjithë kryeprokurorëve dhe prokurorëve të shtetit në nivel vendi, për luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit“, thuhet në kumtesë.

Komento: