Gashi-ministrit Murati: S’do të ketë normalitet në Kuvend nëse i merr paratë e komunave, është si me ia marr dikujt paratë e xhepit

11:51 | 06 Prill 2023

Ministria e Financave është njëra nga ministritë me më së shumti vërejtje.
Vërejtje të shumta në drejtim të kësaj ministrie ka pasur nga qytetarët, por edhe nga vetë drejtuesit e komunave
.

Së fundi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama u shpreh i shqetësuar për faktin se Ministria e Financave është duke e bllokuar bartjen e të hyrave vetanake të komunave nga viti paraprak.

Rama tha se është hera e parë që një qeveri tenton në mënyrë kundër-kushtetuese të tjetërsojë të hyrat vetanake të komunave.

Ai tha se i ka kërkuar me shkrim kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe ministrit të Financave që mjetet e mbledhura nga taksat e qytetarëve t’i kthehen Prishtinës, ashtu siç edhe i takojnë.

E kjo çështje ka ngritur reagime të shumta në Kuvend. Madje ministri i Financave, Hekuran Murati është munduar të arsyetohet duke thënë se kjo është e bazuar në ligjin për buxhet ku thuhet se të hyrat vetanake nga viti 2022 barten në vitin 2023 dhe se kjo është në përputhje me ligjin për financat.

Kurse shefi i grupit parlamente të LDK-së, Arben Gashi ka paralajmëruar ministrin Murati se nuk do të ketë normalitet në Kuvend nëse ai mendon ta bëjë një gjë të tillë.

“Nuk do të ketë normalitet dhe s’do të kalojë asnjë ligj.Ju garantoj në konsultim me LDK dhe grupet e tjera se këtu s’do të ketë normalitet më. Kot e ki s’ki me pas shanc me i marr paret e komunave, janë të hyra vetanake, është si me ja marr dikujt paret prej xhepit.Kot je tu u mundu. Është e rregullume me Kushtetutë dhe gjithçka tjetër që komunat me udhëheq me buxhetin e tyre. Do me shti Kuvendin në një situatë për të prishë një konsensus, vazhdo”, tha ai.

Komento: