Gashi: Qeverinë e Isa Mustafës e rrëzuan vetë deputetët e LDK-së

21:57 | 20 August 2019

Isa Mustafën nga posti e kryeministrit e kanë rrëzuar 7-8 deputetët e partisë së tij, të cilët nuk e kanë votuar atë për kryeministër dhe më pas nuk e mbështetën në vendimet e mëdha që duhej t’i merrte qeveria.

Kështu tha zyrtari i lartë i PDK-së, Kujtim Gashi, në debatin televiziv që u zhvillua në RTK midis përfaqësuesve të subjekteve politike, në përgjigje të akuzave të Bajram Gecajt të LDK-së.

Ndërkaq, në një diskutim me deputeten e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, Gashi tha se keqqeverisja në Prizren dhe ajo në Prishtinë, janë fytyra e vërtetë e Vetëvendosjes.

Ai tha se retorika e Vetëvendosjes kundër dukurive negative, përballë aferave të qeverisjes së saj në Prizren dhe punësimeve partiake joligjore në Prishtinë, janë fakti më i mirë i hipokrizisë së saj kundruall qytetarëve.

“Komuna e Prizrenit në këtë mandat është storja më e keqe e qeverisjes në 50 vitet e fundit në Kosovë”, theksoi ministri i Kulturës, i cili vjen nga Dega e PDK-së në Prizren, Kujtim Gashi.

Duke iu drejtuar deputetes së Vetëvendosjes, Gashi tha se pse partia e saj në publik flet kundër Devollëve, ndërsa në anën tjetër merr financa nga ta.
Në vazhdim të diskutimit, zyrtari i lartë i PDK-së bëri të ditur se në listën e kandidatëve të PDK-së nuk do të ketë asnjë njeri me aktakuzë.

Ai shtoi se luftën kundër korrupsionit, PDK-ja e ka dëshmuar me veprime konkrete, ndërsa të tjerët e kanë vetëm retorikë.

Gashi tha se pas zgjedhjeve, qeverinë do ta udhëheq PDK-ja.

“PDK-ja i ka bërë kryeministra disa liderë partish, ndërsa pas tetorit të këtij viti, kryeministër i Kosovës do të jetë Kadri Veseli”, theksoi Gashi.

Komento: