Gashi: Reciprociteti nuk do t’i pengojë bisedimet me Serbinë

10:53 | 18 February 2020

Arben Gashi thotë se po shqyrtojnë mundësinë që të heqim tarifën, reciprociteti nuk do t’i pengojë bisedimet me Serbinë.

Shefi i Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi në tryezën “Dialogu Kosovë-Serbi: Çfarë pas formimit të Qeverisë së re dhe përfshirjes amerikane”, ku u diskutua për të ardhmen e dialogut mes Kosovës e Serbisë, tha se koalicioni qeverisës po bën përpjekje që të largojë tarifën 100 për qind të vendosur nga Qeveria e kaluar, në mënyrë që të lehtësojë vazhdimin e dialogut.

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, tha se çështja e dialogut dhe raporti i Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare është shumë delikate.

Gashi në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, u shpreh se me këtë tarifë, Kosova përveç se nuk ka fituar, është dëmtuar duke pasur një rritje prej 2.5 për qind të inflacionit.

“Sa i përket bisedimeve më Serbinë dhe raportit të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare janë shumë delikate. Por, ne duhet të shohim se çka ka ndodhur këto vitet e fundit dhe të mendojmë për strategjinë e ardhshme. Së pari kemi një element siç është tarifa, e cila është një instrument ekonomik që është përdorur si mjet politik, por pasojat e saja kanë qenë të rënda edhe për Kosovën, ndoshta në aspekte të caktuara ndërkombëtare dhe më të rënda për Kosovën sesa për Serbinë. Është e vërtetë ndoshta që Serbia ka humbur disa miliona në tregun kosovar, por ato para në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk i përfitoi prodhuesi kosovar, për më shumë pranoi edhe një rritje të inflacionit prej 2.5 për qind. Në të njëjtën kohë kemi edhe dëmtimin politik në raporti me bashkësinë ndërkombëtare që ishin të konsiderueshme”, u shpreh Gashi, raporton Telegrafi.

Tutje, Gashi u shpreh se heqja e tarifës është një mundësi e drejtpërdrejtë që bashkësia ndërkombëtare të intervenojë për të lehtësuar procesin e dialogut.

“Ne si koalicion qeverisës, edhe pse partneri i koalicionit nuk e tha e prita që e thotë, po shqyrtojmë mundësinë që të heqim tarifën që të plotësojmë një kërkesë të drejtpërdrejtë bashkësisë ndërkombëtare, për t’i dhënë shanse bashkësisë ndërkombëtare që të fasilitoj dialogun mes Kosovës e Serbisë. Në anën tjetër ne kemi deklaruar reciprocitetin i cili do të vendoset, por do të vendoset ashtu që të mos pengoj sërish bisedimet e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare dhe veçanërisht nga SHBA-të”, tha Gashi.

Komento: