Gashi: Zyrtarët e rinj policorë janë me fat që mund të përballen me sfida

18:43 | 25 Korrik 2023
gashi:-zyrtaret-e-rinj-policore-jane-me-fat-qe-mund-te-perballen-me-sfida

74 policët e rinj, prej tyre 45 serbë që diplomuan ditë më parë, e kanë nisur punën të hënën. Ata do të shërbejnë në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka thënë se zyrtarët e rinj policorë janë me fat që mund të përballen me sfida.

“Tani shtrirja mbështetet në operacionet, planet operative që harton departamenti përkatës dhe në këtë drejtim kjo shtrirje vjen si rezultat i kërkesës që në atë pjesë duhet të mbulohet mungesa e zyrtarëve policorë si pasojë e vendimeve për të cilët ju folët”, ka thënë ai.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka shtuar se këta policë të rinj do ta kenë një rast të mirë të mësojnë nga eksperienca e policëve me përvojë.

“Në këtë drejtim, po diskutohet kjo temë edhe pse është një rast i mirë që zyrtarët e porsafilluar kanë një mundësi që të përballen me sfida për të cilat edhe janë përcaktuar dhe në këtë drejtim është një mundësi e mirë që përmes zyrtarëve policorë me eksperiencë të kryejnë aktivitete të policimit në territoret ku sfidat me të cilat ata do të përballen në profesionin që janë përcaktuar do të jenë sfida të drejtpërdrejta me fillimin e punës”, ka thënë ai tutje.

“Këta zyrtarë nëse mund të përkufizohet asi soji, janë me fat që në të njëjtën kohë kanë mundësi me dinamikën më të përshpejtuar të përballen me të gjitha sfidat e mundshme që i pret profesioni për të cilin janë përcaktuar”, vlerëson Gashi.

Komento: