Gastronomëve nuk u pëlqejnë masat e reja të Qeverisë

17:18 | 06 Nëntor 2020

Gastronomët kundërshtojnë masat e reja të Qeverisë.

Shoqata e Gastronomëve e ka cilësuar të pakuptimtë mbylljen e bizneseve në fundjavë, bazuar në vendimin e fundit të Qeverisë, në luftën me koronavirusin. Sipas kryetarit të kësaj shoqate, Petrit Kllokoqi, vendimi i së premtes është i pakuptimtë përderisa kufijtë shtetërorë mbesin të hapur.

Qeveria e vendit të premten vendosi për ndalimin e veprimtarive të bizneseve ndërsa shtatë komuna i futi në karantinë.

Në një postim në Facebook, Kllokoqi ka kërkuar mbledhje urgjente të gastronomeve për të diskutuar për veprimet e mëtutjeshme për masat që do të ndërmarrin për të shprehur pakënaqësitë.

“Është e pakuptimtë mbyllja e lokaleve të gastronomisë në Kosovë, përderisa kufijtë shtetërorë mbesin të hapur, sepse popullata po lëviz drejt shteteve fqinje dhe kjo nuk është zgjedhje adekuate në këtë situatë. Njëkohësisht mungesa e subvencioneve dhe përkrahja për biznese nga qeveria është shqetësuese dhe rëndon gjendjen ekonomike e financiare të gastronomeve”, ka shkruar ai.

Komento: