Gati dy vite në krye të Komunave/ Sa kanë punuar kryetarët shqiptar në Komunat me shumicë serbe të veriut?

09:08 | 26 January 2025
gati-dy-vite-ne-krye-te-komunave/-sa-kane-punuar-kryetaret-shqiptar-ne-komunat-me-shumice-serbe-te-veriut?

Pas pak muajsh bëhen dy vite prej se Komunat veriore të Kosovës udhëhiqen nga kryetarët shqiptar. Këta të fundit kanë mandat deri më fund të këtij viti, kur do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë.

Por, sa kanë arritur të realizojnë projekte kapitale kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zvaçanit dhe Zubin Potokut dhe cilat kanë qenë sfidat kryesore të tyre?

Bazuar në raportet e Ministrisë së Financave, për periudhën janar-shtator 2024, Komuna e Mitrovicës së Veriut ka shpenzuar vetëm 2% të buxhetit të planifikuar për investime kapitale. Edhe më pak, përkatësisht veç 1% të buxhetit të planifikuar për investime kapitale e ka shpenzuar Komuna e Leposaviqit për nëntë muaj të vitit të kaluar, ndërsa Zubin Potoku ka shpenzuar 14 për qind të buxhetit dhe Zveçani 54%.

Kryetari i Zubin Potokut: Kemi pasur shumë sfida, kam komunikim të mirë me serbët lokal

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se një nga arritjet kryesore gjatë periudhës së tij në detyrë ka qenë konsolidimi i administratës komunale në përputhje me kornizat ligjore.

‘’Arritjet të themi më kryesore dhe synimi im primar ka qenë të themi të bëhet administrata sipas kornizave ligjore siç duhet bërë, pra siç e do një administratë komunale  brenda kornizave’’, tha Zeqiri për FrontOnline.

Pjesa më e rëndësishme, sipas Zeqirit, ka qenë plotësimi i stafit administrativ dhe teknik, i cili tani mund të realizojë detyrat dhe funksionet e kërkuara për të zhvilluar punët e Komunës.

‘’Deri  diku kemi arritur të plotësojmë një staf dhe të pranojmë staf teknik që të funksionojnë të gjitha punët për Komunë, ky ka qenë prioritet i  imi pra’’, tha Zeqiri.

Megjithatë, Zeqiri pranoi se ka ende shumë sfida me të cilat po përballet administrata komunale. Ai theksoi se disa prej këtyre sfidave janë të natyrës strukturore dhe organizative, duke përfshirë mungesën e një vullneti të plotë për bashkëpunim në disa raste.

Në lidhje me bashkëpunimin me serbët,  Zeqiri tha se administrata e Komunës ka një komunikim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me ta, duke siguruar që çdo qytetar, pa marrë parasysh etninë, të ketë mundësinë të shfrytëzojë shërbimet e ofruara. Ai nënvizoi se shumica e qytetarëve janë të angazhuar dhe të interesuar për punët e komunës dhe detyrimet e tyre, dhe se administrata ka obligim të ofrojë ndihmën dhe mbështetjen e duhur për secilin.

‘’Pjesa më e madhe e qytetarëve vijnë  e interesohen për kërkesat e obligimet e tyre dhe ne jemi të obliguar t’u ndihmojnë. Ne kemi komunikim të afërt  me qytetarët, të cilët nuk hezitojnë të vijojnë, unë kam komunikim të gjerë me shumicën e qytetarëve pa marrë parasysh etninë’’, përfundoi Zeqiri.

Ugljanin: Investime të mëdha do të ndodhin në Mitrovicën e Veriut

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljani, ka theksuar se në dy vitet e kaluara, institucioni që ai drejton ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të konsoliduar ligjshmërinë dhe për të fuqizuar institucionet në këtë pjesë të Kosovës.

‘’Ne e kemi marr detyrën për të mbrojtur institucionet tona në pjesën veriore  kur e kanë lëshuar  vendin e punës. Edhe komuna edhe institucionet tjera ku ne kemi marrë obligimin për mbrojtjen e sovranitetit  dhe për të fuqizuar institucionet në pjesën veriore’’, tha për FrontOnline Ugljanin.

Sipas tij, pas marrjes së detyrës, Kuvendi ka gjetur një Komunë të paorganizuar dhe ka filluar një proces të rregullimit të saj, duke sjellë 11 rregullore të reja që kanë ndihmuar në rritjen e rendit dhe përmirësimin e shërbimeve publike.

‘’Së  pari kemi gjetur një komunë me anarki ku  ata që kanë qenë para nesh i kanë kryer punët obligative sipas ligjshmërisë për udhëheqjen e  qytetit, por ne kemi marrë detyrën për fuqizimin e ligjshmërisë për pjesën veriore janë rregulloret dhe siç e dimë kemi sjellë 11 rregullore për komunën’’,  tha Ugljani.

Ugljanin ka theksuar se përmes këtyre rregulloreve janë arritur avancime të rëndësishme, përfshirë rritjen e efikasitetit të administratës, taksave dhe shërbimeve të tjera për qytetarët. Ai gjithashtu ka përmendur një numër projektesh kapitale që janë nisur, si në lagjen e Boshnjakëve, Tre Rrokaqiejt dhe Kodra e Minatorëve, ku do të fillojnë investime të mëdha infrastrukturore.

‘’Kemi sjellë 11 rregullore për komunën dhe fuqizimin, taksat e shërbimet e tjera që tani i kemi edhe disa rregullore si përdorimi i gjuhës ,transporti rrugor hallin e  sporteve të cilat do të jetë nën ombrellën e kuvendit komunal të pjesës veriore. investimeve kapitale shembull kemi në lagjen e boshnjakëve,  te Tre Rrokaqiejt edhe tek Kodra e Minatorvëe ‘’, deklaroi Ugljanin.

Ugljanin ka theksuar se këto investime janë të domosdoshme dhe janë një dëshmi e suksesit të qeverisjes aktuale, që po i jep prioritet zhvillimit të veriut të Kosovës, pas një periudhe të gjatë pa investime kapitale.

‘’Këto investime flasin shumë për qeverisjen aktuale sepse po bëjmë një punë shumë të mirë e sidomos kur nuk ka pasur investime me vet qeverisjen e tyre në 10 vjeçarin e fundit as nuk ka pasur investim kapitale’’, potencoi kryetari i Kuvendit.

Në lidhje me bashkëpunimin me komunitetin serb në veri, Ugljanin ka thënë se, pavarësisht disa sfidave dhe kundërshtimeve, veçanërisht përmes peticioneve për shkarkimin e kryetarit, është arritur të tejkalohen vështirësitë.

 ‘’Jo veç komunat  pjesës veriore të Mitrovicës, por edhe tri komunat tjera janë përballur me sfida kur  e kemi marrë detyrën në mbrojtje të sovranitetit të shtetit të Kosovës. Pra jemi përballur normalisht me sfida ka pasur sfida si kur kanë provuar përmes peticionit për të shkarkuar kryetarin ato janë sfidat t cilat ne jemi marrë si kuvend ,ka pasur peticione të tjera edhe nga komuniteti serb mirëpo I kemi tejkaluar këto sfida’’, deklaroi Ugljani.

Ai theksoi se kanë takime edhe me serbët dhe se  Kuvendi Komunal ofron shërbime pa dallim etnie dhe ka punuar për të siguruar që të gjithë qytetarët të kenë mundësinë të përfitojnë nga shërbimet dhe investimet publike

‘’ Takime me serbët kemi me qytetarë t thjeshtë vijnë I kryejnë shërbime , I kryejmë pa dallim etnie për çdo qytetar sepse jemi të detyruar të ndihmojnë secilin qytetar’’, përfundoi Ugljanin.

 

 

 

 

 

 

 

Komento: