Vidal përshëndetet me shokët te Barcelona, gati të nisë aventurën në Inter.
Arturo Vidal afrohet gjithnjë e më shumë me Interin.
Lajmi konfirmohet edhe nga mediat spanjolle me kilianin që prej dy ditësh nuk stërvitet më me Barcelonën, ndërsa edhe dy klubet kanë gjetur akordin për një shifër simbolike prej 500 mijë eurosh plus bonuset që do të shkojnë në arkat e Barçës.
Sipas raportimit të “Marca”, 33-vjeçari ka vizituar ditën e sotme qendrën sportive të Barcelonës dhe është përshëndetur me shokët e ekipit, si dhe ka marrë sendet e tij personale.
Ai do t’i nënshtrohet testeve mjekësore brenda 48 orëve dhe më pas do të vijë dhe zyrtarizimi i tij.
Kujtojmë që Arturo Vidal ka qenë një dëshirë e hershme e Contes, pasi trajneri italian e kërkoi atë që në vitin 2018, kur ai iu bashkua Barcelonës.
Tashmë dy ish-juventinët do të jenë sërish bashkë, por këtë herë me Interin.