Në më shumë se një vit e gjysmë, Gaza është kthyer në një simbol të tragjedisë njerëzore dhe të dështimit të ndërgjegjes ndërkombëtare. Qe nga tetori i vitit 2023 deri në maj të vitit 2025, të paktën 53,655 palestinezë janë vrarë dhe mbi 121,950 janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
Autoritetet shëndetësore palestinezeraportuan se “mbi 16 mijë e 500 fëmijë janë vrarë që nga shpërthimi i luftës në Gaza në tetor të vitit 2023”.Autoritetet theksuan se vetëm numri i foshnjave të vrara është mbi 900 dhe këtë e mbështetën duke publikuar një listë me emra, karta identiteti, dhe datëlindje.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 94% e spitaleve në Gaza janë dëmtuar ose shkatërruar. Sulmet e përsëritura kanë lenë sistemin shëndetësor në kolaps, duke e bërë të pamundur trajtimin e të plagosurve dhe të sëmurëve.
Një shembull tronditës i kësaj tragjedie është sulmi ajror izraelit në qytetin KhanYounis, i cili goditi shtëpinë e Dr. Alaaal-Najjar, një pediatre që punonte në NasserHospital. Në ketë sulm, nëntë nga dhjetë fëmijët e saj humbën jetën, ndërsa bashkëshorti i saj, Dr. Hamdi al-Najjar, u plagos rëndë dhe ndodhet në kujdes intensiv.
Ky rast tragjik ilustron ndikimin shkatërrues të luftës në jetën e civilëve dhe në sistemin shëndetësor të Gazës.Kur një mjeke humb thuajse të gjithë fëmijët e saj në një sulm ajror dhe bashkëshorti i saj lufton për jetën në spitalin, ku të dy shërbenin, ky nuk është thjeshtë sulm, por akt gjenocidal.
Përmes rasteve të tilla, bëhet e qartë se në Gaza nuk po shkatërrohen vetëm ndërtesa, por edhe simbolika e humanizmit. Mjekët dhe punëtoret shëndetësor qe në çdo luftë mbrohen nga e drejta ndërkombëtare humanitare si figura neutrale që u shërbejnë civilëve, janë bërë objektiva të drejtpërdrejta.
Kur sulmohet një familje mjekësh, kur fëmijët e tyre vriten dhe shtëpia e tyre kthehet në varr kolektiv, cenohet jo vetëm ekzistenca fizike, por edhe struktura sociale dhe morale të një populli. Gaza nuk po shembet vetëm nga bombat, ajo po rrënohet nga heshtja e botës ndaj kësaj padrejtësie.
Për më tepër, bllokada e ndihmës humanitare ka çuar në një krizë urie. Vetëm nga marsi i këtij viti 57 fëmijë kanë vdekur nga kequshqyerja, dhe pritet që rreth 71 mijë fëmijë nën moshën pesë vjeç të jenë të rrezikuar nga kequshqyerja apo mungesa e ushqimit në muajt e ardhshëm.
Një rast i dhimbshëm që ilustron këtë tragjedi është ai i Mohammad Mustafa Yassin, një djalë katër vjeçar që vdiq nga uria në maj të këtij viti në Gaza. Mjeket në spitalin Al-Ahli Baptist konfirmuan se vdekja e tij ishte rezultat i kequshqyerjes së rëndë, e shkaktuar nga bllokada e vazhdueshme izraelite dhe ndalimin e ndihmës humanitare.
A ka kuptim fjala “humanitet”, kur fëmijët vdesin nga uria?
Ky rast nuk është i izoluar. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreziku i urisë në Gaza është duke u rritur për shkak të pengesave të qëllimshme në ndihmën humanitare, përfshirë edhe ushqimin.
Uria si armë lufte
Përdorimi i urisë si armë lufte përbën një krim lufte sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare. Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare e përcakton qartë se uria e qëllimshme e civilëve, përfshirë pengimin e ndihmës humanitare, është një krim lufte.
Vrasja dhe vdekja e fëmijëve në Gaza nuk është vetëm një tragjedi njerëzore, por dëshmi e një politike të qëllimshme që synon shkatërrimin e një populli. Kjo përben gjenocid sipas akteve ndërkombëtare dhe kërkon një reagim të menjëhershëm nga bashkësia ndërkombëtare.
Mijëra jetë janë shuar, spitale janë shkatërruar, fëmijë dhe civilë të pafajshëm janë vrarë dhe masakruar në mënyrën më çnjerëzore. Bota e “zhvilluar”, që shpesh na mban leksione për të drejtat e njeriut, ka zgjedhur të heshtë. Ky është realiteti në Gaza, gjenocidi i heshtur para syve tanë.
Bota arabe, në fjalimet politike shpesh herë ju referohet vëllezër popullit palestinez, por përball kësaj tragjedie janë kthyer në spektator të nënshtruar. Pjesa më e madhe ka treguar indiferencë me mos veprimet e tyre. Heshtja dhe mos veprimi i tyre është bashkëfajësi.
A është jeta e një fëmije palestinez më pak e vlefshme se ajo e një fëmije tjetër në Paris, Londer, NewYork apo Tel Aviv? A është viktima më pak viktimë nëse ajo është myslimane?
Gjenocidi në Gaza nuk është thjesht një tragjedi, por është një test për ndërgjegjen kolektive të njerëzimit. Heshtja sot, do të jetë turpi ynë nesër.
Gaza nuk ka nevojë më për fjalë të mëdha e premtime boshe. Ka nevojë për veprim. Për presion ndërkombëtar, për ndërprerje të mbështetjes ndaj agresorit, dhe për ndërgjegjësim të popujve që refuzojnë të jetojnë në një botë, ku gjenocidi ndodh live, por të gjithë kthejnë kokën mënjanë.
Mos hesht! Mos u bë pjesë e krimit përmes indiferencës.