
Gazeta Britanike ka thënë se Kurtit nuk i kanë mbetur miq për të bërë koalicion.
Njeriu që do të jetë kryeministër i Kosovës ka ofenduar shumë njerëz në rrugëtimin e tij nga një rebel në politikanin kryesor, shkruan Hannah Lucinda Smith për “The Times”.
Pushteti mund të paraqesë dilema kur keni arritur emrin si një rebel, siç po e mëson Albin Kurti, kryeministri në ardhje i Kosovës.
Kurti, 44 vjeç, u bë i njohur si një aktivist në fund të viteve 1990, duke demonstruar kundër represionit në rritje ndaj shqiptarëve të Kosovës nga Serbia e Sllbodan Millosheviqit. Me flokë të gjata dhe me stil prej rokeri, ai udhëhoqi protestat studentore në Universitetin e Prishtinës, punoi për krahun politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u burgos nga regjimi i Millosheviqit për gati tri vjet, shkruan The Times, transmeton lajmi.net.
Në epokën e pasluftës ai iu drejtua me kritika misioneve ndërkombëtare të ngarkuara me mbikëqyrjen e rimëkëmbjes së Kosovës, së pari Kombeve të Bashkuara dhe më vonë Bashkimit Evropian.
Kur Kosova e fitoi pavarësinë e saj më 2008, ai e kritikoi edhe atë, duke refuzuar ta njohë flamurin e saj dhe duke preferuar të paraqitej para flamurit me shqiponjën dykrenare të Shqipërisë, me të cilën ai avokon bashkimin.