Mbiemri i tij ka bërë “bujë” të madhe.
Anthony Albanese, është zgjedhur kryeministër i Australisë. Ardhja e tij në pushtet nxiti debat edhe për shkak të mbiemrit të tij që është karakteristikë e shumë arbëreshëve të Italisë.
I fundit për këtë ka folur gazetari i CNN, Andrew Kaczynski.
Nëpërmjet Twitter, Kaczynski shpjegoi arsyen e mbiemrit “Albanese” të australianit derisa tregoi se edhe vetë ai ka prejardhje arbëreshe.
“Ai është shqiptar i Italisë. Mbiemri i tij është Albanese. Ai është arbëresh sikur edhe unë”, shkroi ai.
Bazuar në biografinë e udhëheqësit të ri në Australi, babai i Anthony ishte nga Barletta, vend në Italinë Juglindore. Mbiemri i babait të tij, Albanese, i referohet popullit arbëresh që është në numër të madh në këtë pjesë të Italisë.
Po kështu thonë të dhënat edhe për gazetarin e CNN. Informacionet nga jeta e tij thonë se ai ka prejardhje polake dhe arbëreshe.