Gazetari serb: Të plagosurit në Shtërpcë po keqpërdoren nga Vuçiqi e Lista Serbe

12:00 | 09 January 2023

Gazetari serb i televizionit të pavarur “Nova”, Zhelko Velkoviq, deklaroi se të rinjtë e plagosur në Kosovë, si dhe prindërit e tyre, janë keqpërdorur nga politikanët dhe mediat. Ai ka thënë se në protestën në Shtërpcë është parë se Lista Serbe “trashëgoi traditën” e Partisë Përparimtare Serbe për sjelljen e njerëzve në mitingje me autobusë në mënyrë të organizuar.

“Ata janë sjellë me autobusë nga e gjithë Kosova, ka qenë obligim i tyre i punës, kanë marrë mesazhe se duhet të hipin në atë autobus, se duhet të shkojnë në atë takim”, ka theksuar Velkoviq.

“Bilanci i padiskutueshëm është se dy të rinj në Kosovë janë keqpërdorur, në radhë të parë nga politikanë, të cilët kanë keqpërdorur incizimet dhe fotot e tyre. Ne kemi Presidentin Vuçiq në ‘Pink’, dhe pas tij një video në të cilin shihet një djalë njëmbëdhjetë vjeçar në spital, i cili është i plagosur dhe dridhet nga frika. Ne e shohim fytyrën e tij gjatë gjithë kohës dhe e shohim gjithashtu duke treguar tre gishta. Dhe ata dy djem janë viktima, përveç tensioneve të shkaktuara nga Beogradi dhe Prishtina, nga politikanët tanë. Fatkeqësisht edhe mediat tona”, ka thënë gazetari serb në “Nova”, transmeton Klankosova .tv.

Sipas tij, një pjesë e mirë e mediave harrojnë se si të raportojnë kur ka një fëmijë që është sulmuar dhe harrojnë se duhet t’u mbulohet fytyra. Ai po ashtu thekson se protesta në Shtërpcë në fakt ishte kontra-tubim i protestës kundër Listës Serbe dhe Vuçiqit që u mbajt në Mitrovicë.

“Hqë atij fëmije nuk duhet t’ia publikojmë as inicialet. Ndërsa ne dimë gjithçka për atë fëmijë. Është shndërruar në një ‘reality show’, i cili është keqpërdorur për të mbajtur një kundër-tubim të Listës Serbe në Shtërpcë. Njerëzit në atë kundër-tubim u sollën me autobusë dhe është e qartë se Lista Serbe trashëgon traditën e Partisë Përparimtare Serbe. Ata janë sjellë me autobusë nga e gjithë Kosova. Ky ishte detyrimi i tyre i punës, ata morën mesazhe se duhej të hipnin në atë autobus, se duhej të shkonin në atë takim”, tha Velkoviq.

Ai ka theksuar se në protestën në Shtërpcë nuk është dëgjuar se si do të mbrohen fëmijët në Kosovë, sepse numri i serbëve në Kosovë “po zvogëlohet nga viti në vit”.

“Mirëpo, është dëgjuar se Lista Serbe do ta mbrojë veten teksa fliste se si po e mbrojnë Kosovën”, ka theksuar ai.

Gazetari i mediumit të pavarur, anti-qeveritar serb, po ashtu ka kujtuar se ndër kritikët më të mëdhenj të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, janë përfaqësuesit e serbëve që deri dje ishin pjesë e qeverisë së tij dhe bashkëpunonin me të.

Duke komentuar takimin në Mitrovicë, ai ka thënë se ka pasur një “kthim të rezistencës autentike mitrovicase” që ka ekzistuar nga viti 1999 deri në daljen e Listës Serbe.

“Ata e kuptuan me vonesë se qeveria aktuale në Serbi një gjë thotë dhe një tjetër bën”, tha Velkoviq.

Ai ka vlerësuar se Lista Serbe në Kosovë do të keqpërdor këdo që do ta ndihmojë në atë që bën.

“Çfarë bëri Lista Serbe përveç pjesëmarrjes në çdo qeveri? Epo, ajo po pasurohet. Serbët nga Kosova udhëhiqen nga njerëz që janë pasuruar jashtëzakonisht shumë në vetëm pak vite. Dhe për këtë janë ankuar në protestën në Mitrovicë”, ka theksuar ai.

Gazetari serb tregon se edhe për shenjën më të vogël të rebelimit ndaj Listës Serbe reagohet dhunshëm për të parandaluar përhapjen e pakënaqësisë.

“Lista serbe i çon njerëzit në tufa për të votuar dhe atje poshtë nuk mund të votohet ndryshe. Të gjithë janë nën një lloj presioni. Tani kishim një tregues të vogël për ngritjen e zërit kundër Listës Serbe. Dhe tani çfarë? Të shkojmë në një kundër-tubim, ta shtypim, të themi se vetëm Lista Serbe e ka monopolin për t’u kujdesur për serbët, dhe meqë kujdeset për serbët, gjërat për ta po përkeqësohen”, tha gazetari serb i televizionit të pavarur “Nova”, Zhelko Velkoviq.

Kujtojmë se për rastin e plagosjes së një 21-vjeçari dhe një 11-vjeçari në Shtërpcë javën që lamë pas, është arrestuar një i dyshuar, ndaj të cilit është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji.

Komento: