Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, raportohet se ka marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, që u mbajtë sot në manastirin e Patrikanës së Pejës.
Pjesëmarrja e Muhaxherit në këtë ceremoni është quajtur gjest i rrallë dhe i guximshëm nga politikanja serbe, Rada Trajkovic.
Sipas saj, gjeste të tilla duhet të bëhen të zakonshme.
“Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, më herët sot mori pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të Patriarkut Porfirije. Një gjest i rrallë dhe i guximshëm për të kapërcyer ndarjet etnike. Gjeste të tilla duhet të bëhen të zakonshme dhe jo përjashtime”, ka shkruar Trajkoviq në Twitter.
Ndryshe, më 14 tetor, Kisha Ortodokse Serbe dhe besimtarët shënojnë festën fetare të manastirit të Patrikanës së Pejës.
Akti i kurorëzimit të patriarkut bëhet një vit e tetë muaj pas zgjedhjes së tij si udhëheqës i Kishës Ortodokse Serbe.