Gent Cakaj: Kosova do të ngrihet edhe më e fortë pavarësisht sfidave

14:09 | 05 Nëntor 2020

Sipas Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, asnjë Gjykatë në botë nuk mund t’a rishkruajë historinë e lavdishme të UÇK-së dhe t’i shlyejë krimet kundër njërëzimit e gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë.

Sipas Cakajt është Serbia ajo që do të duhet të ballafaqohej me të kaluarën e saj kriminale dhe të dorëzonte kriminelët e luftës, e jo Kosova.

“Kr’imet e supozuara të luftës në Kosovë janë hetuar nga UNMIK-u, Tribunali i Hagës, EULEX-i, gjykatat vendore dhe tani, në mënyrë krejtësisht të njëanshme, edhe nga Gjykata Speciale. Kosova, ndryshe nga Serbia, deri më sot ka treguar të gjithë gatishmërinë e nevojshme për të bashkëpunuar me të gjithë mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare. Kosova s’ka asgjë për të fshehur: lufta e saj ka qenë e pastër dhe e drejtë”, ka shkruar ai.

Në llogarinë e tij në “Facebook”, Cakaj po ashtu theksoi se sjellja e krerëve të UÇK-së dhe institucioneve të Kosovës është shprehje e gatishmërisë së plotë për t’i dalë përballë drejtësisë dhe zbardhur të vërtetën.

“Ne mbesim krejtësisht të bindur në drejtësinë e luftës dhe në pafajësinë e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kosova, si gjithmonë, do të ngrihet edhe më e fortë pavarësisht sfidave!|. ka shkruar ai.

Komento: