Gërdovci: Po përfundon koha e therrjes së kafshëve në rrugë, Projekti për Therrtoren e Prishtinës po jetësohet

11:03 | 20 December 2022

Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Prishtinës, Plator Gërdovci ka njoftuar që së shpejti Prishtina do të bëhet me një Therrtore moderne të kafshëve.

Përmes një postimi , Gërdovci është shprehur i lumtur se po përfundon koha e therrjes së kafshëve në rrugë, pa kurrfarë standardi.

“Projekti për Therrtoren e Prishtinës po fillon të jetësohet. Po i afrohemi fundvitit me një super lajm për Kryeqytetin. Sot publikuam thirrjen për realizimin e Therrtores të Prishtinës. Jam i lumtur që po i vie fundi shqetësimeve shumë-vjeçare të qytetarëve të Prishtinës rreth cilësisë së mishit dhe produkteve të tij. Gjithashtu po përfundon edhe koha e therrjes së kafshëve në rrugë, pa kurrfarë standardi”, shkruan ai.

Gërdovci ka falënderuar Shoqatën “Jetimët e Ballkanit”, e cila e ka dhuruar si donacion projektin modern të Thertores së kryeqytetit.

“Projekti për ndërtimin e Therrtores Publike do t’i plotësoj të gjitha kushtet higjieno-sanitare për sigurimin e mishit dhe produkteve të mishit për qytetarët e Prishtinës. Prioriteti ynë është mbrojtja e shëndetit publik dhe garantimi i sigurisë dhe cilësisë së ushqimit. Një falënderim i madh për Shoqatën “Jetimët e Ballkanit”, e cila e ka dhuruar si donacion këtë projekt modern të thertores së kryeqytetit. Me këtë nismë po e zgjidhim një problem të kahmotshëm që me shumë të drejtë i ka brengosur bashkëqytetarët tanë”, shkruan ai.

Komento: