Gërvalla konfirmon që ekziston propozimi franko-gjerman

21:04 | 09 October 2022

Jens Plotner e Emmanuel Bonne, më 9 shtator, i zbritën shkallët e ekzekutivit, duke i lënë në tavolinë kryeministrit disa propozime për dialogun.

Ndonëse Albin Kurti e mohoi, fiks një muaj pas kësaj vizite, ekzistencën e ofertës franko-gjermane po e konfirmon zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla.

Në dokument, siç zbuloi presidenti serb Aleksandar Vuçiq njëra pikë i siguron Serbisë ulëse në BE kundrejt një të tille Kosovës në OKB, por Gërvalla i quan të vërteta këto, veç 10%.

“Të vërtetë ka që ekziston një propozim prej këshilltarëve të Presidentit Macron dhe Kancelarit Scholz”.

“Ajo çfarë ka thënë presidenti Vuçiq rreth ulëses në OKB nuk është e vërtetë sepse propozimi është i hartuar me qëllim krejt tjetër, nuk ka pika 1 2 3 4 5…”, deklaroi ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për Klan Kosova.

Vetes ulësen në BE ende jo, por Vuçiq u ka siguruar goxha ulëse brenda territorit rusëve që po ikin masivisht nga Rusia. Kosova pritet t’ua ndalojë lëvizjen e lirë shtetasve të Federatës tërësisht.

“Unë jam konsultuar me kolegët e mi të shteteve baltike dhe Poloninë dhe e kam studiuar vendimin që këto shtete e kanë marrë lidhur me ndalimin e hyrjes për qytetarët rus për çështje turizmi, jemi duke përgatitur vendimin dhe besoj që për një kohë shumë të shkurtër edhe Qeverise do t’ia propozoj si vendim.”

Ministrja e Punëve të Jashtme foli për Klan Kosovën edhe rreth procesit aktual të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, duke konfirmuar diskutimin të mërkurën që shkoi.

“Unë vetëm mund të ju them që presidenca irlandeze me shumë seriozitet dhe përkushtim e ka trajtuar temën. Ka marrë një opinion ligjor i cili është shumë pozitiv për Kosovën nga Këshilli i Evropës, do të ketë një raportim të Zonja Mijatoviq i cili nuk është aq i lidhur me anëtarësimin tonë por një raport i mirë i cili tregon që të drejtat e njeriut respektohen në Kosovë i motivon shtetet anëtarë ta përkrahin edhe më shumë kërkesën tonë.”

“Jam shumë optimiste që Kosova do të jetë në kohë rekord në KiE”, ka shtuar ministrja.

Ndërkaq për vendet qe Serbia deklaroi publikisht lobimin kundër Kosovës, Gërvalla tha se Kosova veçse ka votat e mjaftueshme nga vendet njohëse të shtetit.

Komento: