Gërvalla merr pjesë në Platformën e Paqes për Ballkanin në Stamboll

09:26 | 23 Janar 2026
gervalla-merr-pjese-ne-platformen-e-paqes-per-ballkanin-ne-stamboll

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar në Stamboll për të marrë pjesë në takimin e dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, z. Hakan Fidan.

Platforma e Paqes për Ballkanin mbledh ministrat e punëve të jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shërben si forum për shkëmbimin e pikëpamjeve në çështje me interes të përbashkët, përfshirë identifikimin e mundësive për thellimin e bashkëpunimit rajonal në fusha të ndryshme.

Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në këtë platformë riafirmon prioritetet e saj strategjike për anëtarësim në Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata të tjera relevante ndërkombëtare, si dhe përkushtimin e palëkundur të Republikës së Kosovës ndaj promovimit të paqes së qëndrueshme, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit rajonal.

Republika e Kosovës vlerëson lart marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e qëndrueshëm me Republikën e Turqisë, si dhe rolin e rëndësishëm të Republikës së Turqisë në avancimin e dialogut, promovimin e paqes dhe forcimin e stabilitetit, si në rajon ashtu edhe në nivel global.

Komento: