Gërvalla ndan detaje për hapjen e Konsullatës së Kosovës në Strasburg

16:08 | 23 October 2024
gervalla-ndan-detaje-per-hapjen-e-konsullates-se-kosoves-ne-strasburg

Në prani të ambasadorëve dhe konsujve të shumë shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, eurodeputetëve, miqve të shumtë të Kosovës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, bashkë me Konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Strasburg, ambasadorin Lulzim Hiseni, inauguruan objektin e ri të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Strasburg.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se objekti i ri i Konsullatës, me një sipërfaqe prej 350 m², është i vendosur në një zonë strategjike ngjitur me qendrën historike të qytetit, prapa katedrales së njohur “Saint Paul” dhe në mes të aleatëve më të fortë të Kosovës, misionit diplomatik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Gjermanisë.

Gërvalla para të pranishmëve të shumtë tha se tani, “në Strasburg, flasim për standardet demokratike, për sundimin e ligjit, për të drejtat e njeriut dhe jam e lumtur që sërish këtë vit, të gjitha institucionet ndërkombëtare të besueshme e kanë konfirmuar Kosovën si kampion të demokracisë dhe sundimit të ligjit në rajonin tonë”.

Ambasadori Lulzim Hiseni tha se blerja e kësaj prone të mrekullueshme në zemër të Strasburgut, kryeqyteti evropian, simbol i paqes dhe pajtimit, tregon përkushtimin e Kosovës për të qenë thellësisht e rrënjosur në vlerat evropiane.

Objekti i sapo inauguruar është pronë e Republikës së Kosovës dhe vjen pas vendimit të Qeverisë së Republikës për të blerë hap pas hapi objektet e misioneve të Kosovës jashtë vendit. Tashmë janë blerë objektet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Senegal dhe Kroaci.

Ceremoninë e madhështuan me përformancat e tyre artistët nga Kosova, Visar Kuçi në violinë dhe Lirika Pula në piano si dhe u ekspozuan pikturat e piktores nga Kosova, Marigona Ademi e cila mbajti ekspozitën e saj në hapësirat e Këshillit të Evropës, gjatë muajit maj të këtij viti.

Për hapjen e kësaj Konsullate njoftoi fillimisht kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Ai tha se në proces të blerjes janë edhe objektet e ambasadave në Itali, Turqi, Gjermani dhe Kanada, raporton Klankosova.tv.

“Dje përuruam objektin e ri të Konsulatës tonë në Strasburg që tashmë është pronë e shtetit dhe shtëpi e përhershme e Republikës së Kosovës. Po vazhdojmë me blerjen e objekteve të ambasadave tona në shtetet kyçe për shërbimin tonë diplomatik. Pas blerjes së objektit të ambasadave në ShBA, Angli, Kroaci, Senegal e tash në Strasburg, në proces të blerjes janë edhe objektet e ambasadave në Itali, Turqi, Gjermani dhe Kanada”, tha shefi i qeverisë,

Komento: