“Besimi në demokraci, solidariteti mes demokratëve dhe një qasje e qartë për mbështetje dhe parandalim ndaj agresorëve janë elementet që do ta forcojnë të ardhmen demokratike të Evropës dhe do të pengojnë përhapjen e ekstremizmit dhe populizmit, të cilat mund të kërcënojnë të ardhmen demokratike të këtij kontinenti”, tha Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla në Forumin e Lartë për të Ardhmen e Demokracisë, në Vilnius të Lituanisë, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Lituanisë, z. Gabrielius Landsbergis.
Gjatë fjalimit të saj, Ministrja Gërvalla përmendi gjithashtu rëndësinë e fitores së Ukrainës ndaj agresionit të Rusisë duke paralajmëruar për pasojat e çdo kompromisi të mundshëm.
“Çdo zgjidhje tjetër kompromisi është receta për luftën e ardhshme në Baltik, në Poloni ose në Ballkanin Perëndimor, ku kemi një përfaqësues të Putinit dhe Rusisë, që sulmoi vendin tim në shtatorin e kaluar me të njëjtën retorikë, me skemën e Putinit, të njëjtat fjalë, të njëjtin fjalor që Putini ka përdorur në Ukrainë”, tha Ministrja Gërvalla.