Gërvalla në takimin e koalicionit anti -ISIS në Uashington – Qeveria sot ndau 100 mijë euro në mbështetje të tij

21:25 | 30 Shtator 2024
gervalla-ne-takimin-e-koalicionit-anti-isis-ne-uashington-–-qeveria-sot-ndau-100-mije-euro-ne-mbeshtetje-te-tij

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë me ftesë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në konferencën e Koalicionit Global kundër DAESH/ISIS, në 10-vjetorin e themelimit të tij. Takimi është mbajtur në Uashington.

Gërvalla ka thënë se 25 vjet pas çlirimit, Kosova jep kontributin e saj serioz për paqe dhe siguri globale.

Qeveria të hënën në një mbledhje elektronike ka ndarë 100 mijë euro në mbështetje të këtij koalicioni.

“Republika e Kosovës tashmë, 25 vjet pas çlirimit të saj, jep kontributin e saj serioz për paqe dhe siguri globale. Terrorizmi dhe radikalizmi nuk kanë vend në shoqërinë dhe shtetin tonë. Prandaj, jam e lumtur për mundësinë e krijuar për të shkëmbyer ide dhe përvoja të vlefshme me kolegë nga rajoni dhe e gjithë bota”, ka shkruar Gërvalla.

Kosova është pjesë e këtij koalicioni nga viti 2014.

Organizata ISIS është shpallur terroriste edhe nga Kosova. Një numër jo i vogël i kosovarëve iu kishte bashkuar kësaj organizate terroriste të ndikuar nga ekstremizmi i dhunshëm.

Kuvendi i Kosovës kishte votuar një ligj që dënon me burgim personat e rikthyer nga konfliktet e armatosura jashtë shtetit.

Komento: