
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla në manifestimin qendror “Ditët e Shqipes 2026”, në Koshare ka deklruar se janë mbledhur në këtë vend për të përkujtuar një nga ato momente pa të cilat historia jonë do të ishte zhvilluar ndryshe.
Gërvalla përkujtoi dëshmorët dhe martirët që ranë në betejën e Koshares, dukë thënë se ata që hynë në betejë ishin të gatshëm për t’u flijuar për Kosovën.
“Jemi mbledhur sot në këtë vend të shenjtë jo vetëm për ta përkujtuar një betejë të madhe të luftës sonë çlirimtare, për të përkujtuar një nga ato momente pa të cilat historia jonë do të ishte zhvilluar ndryshe, sepse në Koshare nuk u zhvilluar vetëm një betejë. Në Koshare u largua njëherë e përgjithmonë ai guri i ndarjes që për dekada na ishte imponuar me dhunë. Në një luftë të pabarabartë me një ushtri të armatosur deri në dhëmbë u godit një regjim që mendonte se Kosovën mund ta mbante të poshtuar, të nënshtruar dhe pa rrugëdalje dhe u dëshmua se liria e këtij vendi nuk do të mbetet peng i asnjë kufiri të padrejtë dhe i asnjë pushtuesi sado i fortë ushtarakisht. Dhe pikërisht këtu qëndron pesha e saj morale. Në Koshare nuk pati vend për iluzione, ata që hynë në atë betejë e dinin se po hynin në zjarr, e dinin se mund të mos ktheheshin, e dinin se liria nuk po afrohej si premtim po si përballje. Beteja e Koshares e zë një vend të veçantë në kujtesën historike dhe shtetërore të Republikës sonë. Jo vetëm për guximin e jashtëzakonshëm që u tregua aty, jo vetëm për strategjinë e rrallë ushtarake që çojë në fitore, por sepse aty u dëshmua se liria e Kosovës nuk po kërkohej më si e drejtë morale e politike, por po mbrohej dhe po fitohej në fushëbetejë me ushtarë dhe oficerë trima, të përgatitur, liridashës deri në vetëflijim. Në Koshare nuk pati asgjë abstrakte, aty pati burra dhe gra që hynë në betejë duke e ditur saktë rrezikun, aty pati jetë të reja që u vunë përballë vdekjes jo për nga dëshira personale por nga bindja se pa atë përballje Kosova nuk do ta çonte rrugën drejt lirisë. Aty pati sakrificë të vetëdijshme dhe kjo është forma më e lartë e përgjegjësisë ndaj atdheut. Dhe për këtë arsye Kosharen nuk duhet ta kujtojmë si një episodë të izoluar, Kosharja nuk erdhi si ngjarje e shkëputur, por si një rrjedhojë e natyrshme e një rruge të gjatë historike, në të cilën çështja e Kosovës u artikulua politikisht e ndërkombëtarisht edhe nën udhëheqjen e presidentit Ibrahim Rugova por edhe nga bindja e thellë e burrave dhe grave të këtij vendi se përballë një pushtuesi të dhunshëm, liria nuk mund të arrihej pa luftë, bindje kjo së cilës Adem Jashari I dha formën e saj më të qartë, më të rëndë dhe më të pakthyeshme”, tha Gërvalla.
Ajo tha se shteti nuk është produkt i rastësisë, rehatisë apo kompromisit me padrejtësinë.
“Dhe në Koshare këto dy rrjedha të historisë sonë, pra vullneti politik për liri dhe gatishmëria për flijim në emër të saj u takuan në njërën prej faqeve më të lavdishme të luftës çlirimtare të Kosovës. Kosharen nuk mund ta kujtojmë as si një ritual vjetor, që përsëritet me të njëjta fjali, Kosharja është pjesë e themelit politik dhe moral të Republikës së Kosovës, ajo na rikujton një të vërtetë që nuk duhet të zbehur kurrë, shteti ynë nuk është produkt i rastësisë, nuk është produkt i rehatisë, nuk është produkt i kompromisit me padrejtësinë”, tha Gërvalla.