Gërvalla: Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm kur ka pasur qëndrim të qartë dhe të vendosur

09:39 | 04 Janar 2024
gervalla:-perendimi-ka-qene-gjithnje-i-suksesshem-kur-ka-pasur-qendrim-te-qarte-dhe-te-vendosur

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm kur ka pasur qëndrim të qartë dhe kur ka vepruar me vendosmëri.

Në një konferencë për media të enjten në Prishtinë pas takimit me ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Gërvalla ka thënë se ekziston një konsensus gjithëshoqëror që Kosova të jetë pjesë e Perëndimit.

“Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm atëherë kur ka pasur qëndrim të qartë dhe të vendosur. Ka qenë i suksesshëm kur ka vepruar me vendosmëri përballë një Moske agresive. Ekziston një konsensus gjithëshoqëror që Kosova është pjesë e Perëndimit. Mbi 90 për qind e mbështesin Kosovën në integrimet brenda BE-së”, ka thënë Gërvalla gjatë konferencës me ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron.

Gërvalla e ka falënderuar Cameronin për mbështetjen e vazhdueshme që Britania po i jep Kosovës në fusha të ndryshme.

“Është kënaqësi e veçantë ta kemi në Kosovë ministrin e Jashtëm të Britanisë. Pas një kohe goxha të gjatë, është vizita e parë e një ministri të Jashtëm britanik në Kosovë. Gjatë bisedës, folëm rreth zhvillimit të jashtëzakonshëm të Kosovës në fusha të ndryshme, sidomos në sundimin e ligjit dhe demokracisë. E falënderova për mbështetjen që Britania i ka dhënë Kosovës para dhe pas luftës dhe rolin e Britanisë në ndalen e gjenocidit të Serbisë në vitet ’90. Kosova do të jetë përjetë mirënjohëse. E falënderova për dërgimin e trupave shtesë pas sulmit të Kosovës nga Serbia më 24 shtator”, ka shtuar Gërvalla.

Ministrja e Jashtme ka thënë se e sheh Britaninë si aleate shumë të rëndësishme në NATO, “aty ku Kosova synon të anëtarësohet”.

 

Komento: