Gërvalla pritet nga kryeministri i Andorrës, rikonfirmohet mbështetja për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

18:21 | 26 Janar 2024
gervalla-pritet-nga-kryeministri-i-andorres,-rikonfirmohet-mbeshtetja-per-anetaresim-ne-organizata-nderkombetare

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla ka takuar kryeministrin e Andorrës, Xavier Espot Zamora.

“Republika e Kosovës si një shtet me aspirata të qarta integruese është mirënjohëse ndaj Principatës së Andorrës për mbështetjen e pa rezervë dhënë në procesin e anëtarësimit të shtetit tonë në organizata ndërkombëtare”, theksoi Gërvalla.

Situata e sigurisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor si dhe nevoja e integrimit të Kosovës në mekanizmat e sigurisë dhe ato evropiane ishin temat kyçe në takimin mes Ministres Gërvalla dhe Kryeministrit Espot Zamora.

“Tutje Gërvalla e njoftoi Kryeministrin e Andorrës rreth progresit në ekonomi, sundim të ligjit dhe rritjen e standarteve demokratike në vend. Ministrja Gërvalla e falënderoi kryeministrin e Andorrës për mbështetjen e dhënë ndaj Kosovës në anëtarësimin e saj në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe kërkoi vazhdimin e mbështetjes edhe në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, për të cilin proces mori mbështetjen e nevojshme”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Gjatë këtij takimi palët shprehën gatishmërinë për bashkëpunim edhe në fushën e turizmit, shkëmbim të eksperiencave në diplomaci dhe fusha tjera me interes të përbashkët.

Në fund të takimit Ministrja Gërvalla e ftoi Kryeministrin e Andorrës, Espot Zamora të vizitojë Republikën e Kosovës, në 25 vjetorin e çlirimit.

Komento: