Gërvalla reagon me vonesë për çështjen e referendumit të Serbisë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Gërvalla reagon me vonesë për çështjen e referendumit të Serbisë

22:15 | 14 Janar 2022

Çështja e referendumit për serbët vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes.

Reagimi i Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, për çështjen e mbajtjes së referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës, është i fundit prej udhëheqësve institucionalë.

Kryediplomatja Gërvalla në profilin e saj zyrtar ka shpërndarë deklaratën e përbashkët të institucioneve të Kosovës. Kjo deklaratë është lëshuar shtatë orë më parë fillimisht nga presidentja Vjosa Osmani, shkruan lajmi.net.

Në këtë reagim të përbashkët, mbajtja e referendumit të Serbisë për ndryshimet gjyqësore në hapësirën territoriale të Kosovës shihet si anti-kushtetuese dhe cënuese për sovranitetin e vendit.

“Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Institucionet i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër…”, thuhet mes tjerash në postim.

Gërvalla është e vetmja ministre deri më tani që ka publikuar reagimin e përbashkët të institucioneve të vendit.

Përgjatë ditës së neserme, nga ora 10:00, është thirrur një seancë e jashtëzakonshme ,e propozuar nga kryeministri Kurti, për diskutim mbi çështjen e referendumit të Serbisë.

Nga kjo seancë, siç precizon kryeministria, pas hapësirës për debat mes deputetëve të pozitës dhe opozitës, pritet të arrihet një rezolutë e përbashkët për kundërshtimin e referendumit të shtetit fqinj.

Këtë seancë ka njoftuar se do ta bojkotojë PDK-ja. Ky subjekt politik, me anë të një konference, ka thënë se e sheh të pa arsyeshme pjesëmarrjen në seancë.

AAK e ka konfirmuar pjesëmarrjen, derisa LDK-ja nuk ka dhënë qëndrim ende.

Referendumi në Serbi do të mbahet ditën e diel.

Komento: