Gërvalla s’merr pjesë në mbledhjen e Qeverisë ku u mor “vendimi i rëndësishëm” për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së

11:01 | 14 Tetor 2026

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla nuk mori pjesë në mbledhjen e sotme të Qeverisë ku u miratua themelimi i një grupi punues për mbështetjen institucionale në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Përkrah kryeministrit Albin Kurti, në vend të Gërvallës sot u ul zëvendëskryeministri tjetër, Fikrim Damka.

Kurti e cilësoi “vendim të rëndësishëm” themelimin e këtij grupi punues, kryesues i të cilit u caktua zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

Kryeministri e quajti të padrejtë vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë, e cila më 16 shtator i shpalli fajtorë, duke i dënuar për krime lufte me nga 13 deri në 25 vjet burgim, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

“Për këtë arsye, sot po themelojmë grupin punues, të kryesuar nga zëendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca, me përfaqësim institucional e parlamentar, për të bashkërenduar mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike në funksion të procedurave të Apelit”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Komento: