Gërvalla tregon për mbështetjen financiare që marrin shtetasit e huaj në Qendrën për Azil

08:17 | 17 Shtator 2023
gervalla-tregon-per-mbeshtetjen-financiare-qe-marrin-shtetasit-e-huaj-ne-qendren-per-azil


Valbona Gërvalla, udhëheqëse e divizionit për menaxhimin e të dhënave të migrimit në një intervistë për Front Online ka treguar se të gjithë aplikuesit që aplikojnë për mbështetje financiare përfitojnë edhe asistencë sociale.

“Aplikuesit për mbrojtje ndërkombëtare kanë të drejtë në përfitim të asistencës sociale financiare, ashtu sikurse qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Gërvalla.

Për të gjithë ata që akomodohen në qendrën për azil kanë mundësi të shumta.

Atyre do t’i ofrohen kurse bazike, kurse brenda 3 muajve aplikuesit fëmijë regjistrohen edhe në shkollë fillore.

“Aplikuesit që akomodohen në Qendrën për azil ju ofrohen kurse bazike; si kurs të Gjuhës Shqipe dhe kurse të informatikës. Brenda 3 muajve aplikuesit fëmijë regjistrohen në shkollën fillore dhe të mesme sipas moshës së tyre, me të drejta të barabarta me qytetarët e Republikës se Kosovës”, ka thënë Gervalla për Front Online.

Në gusht të vitit 2021, Kosova miratoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të strehuar deri 2.000 afganë që kishin punuar me forcat e huaja në 20 vjetët e fundit, pasi talibanët morën Kabulin në mes të gushtit.

Afganët u strehuan në dy lokacione shumë pranë njëra-tjetrës në kampin e kompanisë Bechtel-Enka, si dhe kampin Liya brenda bazës ushtarake amerikane në Kosovë, Bondsteel në Ferizaj.

Grupi i parë i afganëve arriti në Kosovë më 29 gusht të vitit 2021.

Sipas Qeverisë së Kosovës, rreth 1.900 afganë janë strehuar në Kosovë që nga ajo kohë.

Shumica prej tyre janë zhvendosur në SHBA, disave u është refuzuar hyrja në Shtetet e Bashkuara, për shkak se ata nuk e kanë kaluar procesin e verifikimit.

Një numër prej të tyre janë zhvendosur në ndonjë shtet të tretë.

 

Komento: