Gjashtë muaj nga nisja e luftës, nuk ka shenja paqeje në Ukrainë

18:43 | 23 August 2022

Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë po vazhdon.

Do të jetë përvjetori i 31-të, por më i pazakonshmi që nga viti 1991 prej kur Ukraina e shënon datën e pavarësimit.

E mërkura e 24 gushtit, e gjen një pjesë të madhe të vendit në luftë, pas agresionit të Rusisë që nisi pikërisht 6 muaj më parë.

E për gjithë këtë periudhë, Ukraina i humbi mijëra qytetarë.

Bëhet fjalë për 5 mijë e 587 civilë të vrarë nga të cilët rreth 1 mijë fëmijë, ndërkaq janë lënduar mbi 7 mijë qytetarë të tjerë.

Kjo derisa në luftë u vranë rreth 9 mijë ushtarë, por që është 5-fishi I trupave që I humbi Rusia. Të paktën sipas shifrave të dhëna nga Kievi por edhe nga NATO, meqë Moska për herën e fundit e dha më 25 mars shifrën e dëmëve në trupa, duke pohuuar se kishte humbur 1.351 ushtarë, ndërsa ishin plagosur 3.825 të tjerë.

Nga Ukraina llogaritet se janë larguar edhe mbi 11 milionë qytetarë.

Nga fundi i shkurtit, ShBA-ja, së bashku me aleatët dhe partnerët gjithandej botës vendosën sanksione kundër Rusisë, derisa më 23 qershor, Bashkimi Evropian i dha Ukrainës statusin e kandidates për anëtarësim.

Kohët e fundit, Pentagoni pranoi se ushtria ruse ka humbur mijëra automjete luftarake të të gjitha llojeve, duke përfshirë mbi 1000 tanke dhe dhjetëra avionë luftarakë dhe helikopterë. Ndërkaq nuk jepen shifra se sa janë humbjet e pajisjeve ushtarake të Ukrainës.

Edhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në Kiev, gjatë gjithë kohës ka sjellë përditësime të humbjeve luftarake të Rusisë, ndërkaq nuk i ka publikuar të vetat.

Komento: