Gjatë mandatit të Kurtit nuk u realizua/ Cili kandidat për kryeministër premton sigurime shëndetësore për Policinë e Kosovës?

08:08 | 18 January 2025
gjate-mandatit-te-kurtit-nuk-u-realizua/-cili-kandidat-per-kryeminister-premton-sigurime-shendetesore-per-policine-e-kosoves?

Sigurimi shëndetësor dhe jetësor për pjesëtarët e Policisë së Kosovës ka qenë një premtim i përsëritur nga të gjitha partitë politike gjatë fushatave zgjedhore, duke u paraqitur si një nga prioritetet kryesore. Megjithatë, deri në vitin 2025, ky premtim ende nuk është realizuar.

Edhe pse ka kaluar një periudhë e gjatë dhe janë bërë angazhime të shumta, zbatimi i tij ka mbetur në pritje. Me 9 shkurt 2025, përfundon mandati i kësaj Qeverie, pa arritur të realizohet ky angazhim që ka mbetur vetëm një premtim fushate.

Ish-drejtori i Policisë : Sigurimi shëndetësor dhe jetësor për policët, prioritet i Qeverisë së Bedri Hamzës

Në lidhje me këtë çështje, Rashit Qalaj, ish-Drejtor i Policisë së Kosovës dhe kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka theksuar se sigurimi shëndetësor dhe jetësor për policët është në planin e qeverisë së Bedri Hamzës.

‘’Në lidhje me sigurimet shëndetësore për policët  mund të them që është në planin qeverisës të Bedri Hamzës, pra të Partisë Demokratike’’, tha Qalaj për FrontOnline.

Ai ka deklaruar se kjo është një prej prioriteteve të Qeverisë, duke e përfshirë në pjesën e parë të mandatit të ri qeveritar. Sipas tij, është e papranueshme që pjesëtarët e forcave të sigurisë, përfshirë policët, ushtarët, zjarrfikësit dhe ata të AKI-së, të mos kenë sigurim shëndetësor, dhe ka shtuar se do të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisë së ardhshme për të siguruar mbështetje të plotë për këto grupe.

’Sa më shpejtë që është e mundur në pjesën e parë të mandatit të   bëhet  të bëhet sigurimi shëndetësor e jetësor. Është e pakuptimte që të vazhdohet tutje që pjesëtaret e policisë, zjarrfikësit, pjesëtarët e AKI-së  e ushtarët të mos kenë sigurim shëndetësor dhe besoj që do të jetë njëra ndër prioritetet kryesore të qeverisë së Bedri Hamzës’’, përfundoi Qalaj.

Ibishi: Zyrtarët policorë të Kosovës të vetmit në rajon pa sigurime shëndetësore

Eksperti i sigurisë njëherish kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Nuredin Ibishi, në një prononcim për FrontOnline ka deklaruar se sigurimi shëndetësor i zyrtarëve policorë ka mbetur i pa zgjidhur për shkak të neglizhencës së Qeverisë së tashme dhe të kaluarës.

Ai potencoi se LDK-ja ka programin politik me të cilin do ta bëjë këtë zgjidhje që në fillim të mandatit.

“Çështja e aspektit të sigurimeve shëndetësore të zyrtarëve policor ka mbetur e pa zgjidhur për shkak të neglizhencës së Qeverive jo vetëm aktuales, por edhe më herët, ato premtime kanë qenë që do të zgjidhet përfundimisht, mirëpo nuk është bërë asgjë në këtë drejtim, ndërsa ne si parti politike kemi programin politik me të cilën që në fillim të mandatit ne kemi ofruar mundësinë të bëhet zgjidhje e menjëhershme e sigurimeve shëndetësore që do të thotë edhe sigurimin e jetës”, tha ai për FrontOnline.

Ai ka përmendur se policët kosovarë, ndryshe nga kolegët e tyre në rajon, janë të vetmit që nuk gëzojnë sigurime shëndetësore dhe suplementare.

Demhasaj: Sigurimi Shëndetësor dhe jetësor për Policinë dhe të gjithë Popullatën, prioritet i AAK-së

Arton Demhasaj, kandidat për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka theksuar se sigurimi shëndetësor dhe jetësor për Policinë e Kosovës është ne programin  e partisë së tij. Ai ka nënvizuar se, përveç policisë, sigurimi shëndetësor dhe jetësor është gjithashtu në planin e AAK-së për të gjithë popullatën e Kosovës.

‘’Unë mund të flas për plan programin tonë që e kemi , i kemi në plan sigurimet shëndetësore për krejt popullatën e njëkohësisht edhe sigurime shëndetësore edhe jetësore edhe për Policinë e Kosovës dhe mendoj që është momenti bile edhe jemi shumë vonë me këtë’’, tha Demhasaj për FrontOnline.

Demhasaj e ka quajtur të papranueshme situatën ku Policia e Kosovës është e vetmja forcë në Evropë që nuk ka sigurime shëndetësore dhe ka theksuar se është momenti i fundit që qeveria e re, pas 9 shkurtit 2025, të marrë masa urgjente për të siguruar sigurime për të gjithë qytetarët, përfshirë policinë.

‘’Policia e Kosovës e vetmja  në Evropë që nuk kanë sigurime shëndetësore mendoj që ky është momenti I fundit që Qeveria e re që vjen më 9 shkurt menjëherë në mënyrë urgjente të fillojë të merret me këtë pjesë që janë edhe sigurimet shëndetësore për të gjithë qytetarët e Kosovës por edhe për sigurime jetësore për Policinë e Kosovës’’, tha Demhasaj.

 

Elezi: Premtimi  për sigurimet shëndetësore për policinë vetëm ofertë zgjedhore

 

Në lidhje me këtë çështje, eksperti i sigurisë Bedri Elezi ka komentuar situatën aktuale, duke theksuar se premtimet për sigurimet shëndetësore për Policinë e Kosovës kanë mbetur në nivelin e fushatës zgjedhore.

‘’Në fakt Kosova është siç e dimë në fushatë zgjedhore dhe çdo premtim elektoral mbetet në nivel të premtimeve të fushatës zgjedhore’’, tha Elezi.

Elezi ka theksuar se qeveria ka pasur kohë të mjaftueshme për të nisur procesin e sigurimeve shëndetësore për Policinë, një problem serioz dhe i kamotshëm, por deri tani nuk është realizuar.

‘’Qeveria ka pasur kohë të mjaftueshme që të fillojë procedurën e sigurimeve shëndetësore për Policinë e Kosovës një problem serioz dhe I kahmotshëm dhe deri më tani nuk është realizuar’’, deklaroi Elezi.

Ai ka shtuar se kjo çështje mund të konsiderohet vetëm si një ofertë zgjedhore për të fituar vota, por nuk mund të merret si një mundësi reale realizimi nga kjo qeveri, e cila ka pasur katër vite kohë për ta zgjidhur këtë çështje.

‘’Ne mund ta trajtojmë vetëm si një ofertë zgjedhore për ti përfituar votat e qytetarëve të Kosovës por në asnjë mënyrë nuk mund ta konsiderojmë si një  ofertë serioze apo një mundësi realizimi në një të ardhme të afërt nga kjo qeveri e cila realisht ka pasur mundësi për 4 vitet me radhë për ta bërë një gjë të tillë’’, përfundoi Elezi.

Komento: