Robelli i gjen gabime përkthimit të raportit të Institutit zviceran për rastin e Deharit.
Gazetari dhe kolomunsti i rregullt i Kohës Ditore, Enver Robelli, njohës i gjuhës franceze, ka komentuar përkthimin e raportit të Institutit Mjekësor të Lozanës së Zvicres, për rastin e aktivistit të Vetëvendosje, Astri Dehari.
Robelli ka thënë se “duhet përkthim urgjent i ri, profesional dhe i lexuar nga një lektor i shquar i gjuhës shqipe i Raportit për rastin e Astrit Deharit”.
Sipas tij, kjo sepse autoritetet e Kosovës kanë dështuar edhe në sigurimin e një përkthimi të saktë të Raportit për të ndjerin Astrit Dehari.
“Dështimi shihet që në hyrje dhe kjo mjafton për të kuptuar se edhe pjesa e tjetër mund të ketë lëshime serioze – e ndoshta edhe të qëllimshme. Nëse ka ndodhur kjo, atëherë Astrit Dehari po vri,tet edhe për së vdekuri. Këtë nuk guxon ta tolerojë kjo shoqëri”, ka shkruar Robelli, në një postim të tij në Facebook, duke dhënë një shembull që ka thënë se i ka rënë në sy.
“Në origjinal mjekia Claudia Castiglioni prezantohet kështu: «responsable site de Lausanne». Përkthyesi këtë e ka përkthyer kështu: «përgjegjëse për faqen e Lausanne». Me gjasë ka menduar që «site» është webfaqe, faqe interneti. Por në këtë rast «site» është selia, dega, qendra e Lausannes e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Në anglisht: «site» ose «location» (lokacion), gjermanisht «Standort». Në ditët në vijim me siguri do të dalin edhe skandale të tjera jo vetëm të përkthimit”, ka shkruar Robelli.
Robelli ka thënë se përkthimi është “vetëm edhe një shembull i KOLAPSIT TË SISTEMIT TË NJË SHTETI TË KAPUR DHE KRIMINALIZUAR!”.