
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka dalë me një njoftim për mbetjet eshtërore që u gjetën në Rahovec.
“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh) pas analizimit të të dhënave të siguruara nga arkivat ndërkombëtare me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), ka iniciuar aktivitetet kërkimore në një lokacion në rajonin e Rahovecit, të njohur në evidencat kadastrale dhe nga komuniteti lokal si ‘Përzhina’, në afërsi të varrezave të qytetit. Sipas planifikimeve operacionale, gërmimet kanë filluar ditën e djeshme, ku janë gjetur dy pjesë ështërore , të cilat janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa gjatë ditës së sotme, janë gjetur mbetje mortore te të paktën një individi, të cilat mund t’i përkasin viktimave të luftës që mund të jetë në listën e personave të zhdukur.”
Lidhur me këtë lokacion por edhe lokacionet tjera, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur do të mbajë nesër konferencë për media.
“Me këtë rast, duke qenë se ky lokacion është edhe lokacioni i fundit, adresuar në kuadër të gërmimeve vlerësuese të planifikuara për vitin 2025, ju njoftojmë se ditën e nesërme, më 19.12.2025, duke filluar nga ora 11:00, do të ketë prononcim për media (nga lokacioni në fjalë) lidhur me ecurinë e deritanishme të aktiviteteve kërkimore në këtë lokacion dhe lokacionet tjera.”
“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces, mbeten të përkushtuara në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe në informimin e rregullt të opinionit publik, duke respektuar ndjeshmërinë e procesit dhe dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre.”