Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në rajonin e Rugovës.
Një person është gjetur i vdekur në një kasolle në fshatin Drelaj të Rugovës, njofton policia e Kosovës.
Derisa zyrtarët policorë patrullues ishin duke pritur njësitin e hetimeve për të arritur në vendin e ngjarjes, kasollja e drurit është djegur tërësisht.
Lidhur me këtë rast janë suspenduar dy zyrtarë policorë, nën dyshimin për trajtim jo adekuat të vendit të ngjarjes, për të vazhduar me procedurat e mëtutjeshme.
Më poshtë komunikata e plotë nga Policia e Kosovës:
Ju informojmë se më datë 16 dhjetor 2018 rreth orës 15:00, Policia e Kosovës është njoftuar se në fshatin Drelaj – Rugovë, brenda në një kasollë druri gjendet një person që dyshohet të jetë pa shenja jete. Patrulla policore menjëherë iu ka përgjigjur vendit të ngjarjes, po ashtu edhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar se personi i gjetur brenda është pa shenja jete.
Për deri sa zyrtaret policor patrullues ishin duke pritur edhe njësitin e hetimeve për të arritur në vendngjarje për të vazhduar me procedurat e mëtutjeshme policore, papritmas kasollen e drurit e kishte kapluar zjarri dhe është djegur tërësisht.
Referuar situatës së krijuar, vendit të ngjarjes iu kanë përgjigjur të gjitha njësit policore, duke përfshirë edhe ekspertin për hetimin e zjarreve nga njësiti i zjarrfikëseve.
Lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit dhe këqyrja e vendit të ngjarjes ka vazhduar edhe sot, për të sqaruar të gjitha rrethanat lidhur me rastin.
Policia e Kosovës në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operativo-hetimore për të sqaruar të gjitha rrethanat lidhur me rast, përderisa në këtë fazë janë suspenduar dy zyrtarë policor, nën dyshimin për trajtim jo adekuat të vendit të ngjarjes, për të vazhduar me procedurat e metutjeshme.
Hetimet dhe veprimet e mëtutjeshme policore do të bazohen edhe në të gjeturat e ekspertit të zjarreve lidhur me zjarrin e shkaktuar, dhe sipas hetimeve preliminare të deklaruara nga eksperti i zjarrit dyshohet se zjarri është shkaktuar nga rryma.