Gjeneral Jashari në Ramstein: Kosova rikonfirmon mbështetjen për Ukrainën

19:08 | 09 January 2025
gjeneral-jashari-ne-ramstein:-kosova-rikonfirmon-mbeshtetjen-per-ukrainen

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, mori pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili u zhvillua sot në Bazën e Forcave Ajrore Amerikane në Ramstein, Gjermani. Ky takim u organizua me ftesë të Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve, Lloyd Austin.

Takimi u bashkëdrejtua nga Sekretari Austin dhe ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, gjithashtu mori pjesë për të theksuar rëndësinë e këtij koalicioni dhe për të paraqitur kërkesat e Ukrainës për vitin 2025. Në fjalën e tij, Zelenskyy falënderoi shtetet e koalicionit për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë përmes këtij forumi.

Gjatë vizitës, Gjeneral Jashari zhvilloi një takim të veçantë me Gjeneral Christopher Cavoli, Komandant i Forcave Amerikane për Evropë, ku u diskutua rëndësia e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral në ruajtjen e paqes dhe sigurisë euroatlantike.

“Kosova vazhdon të mbështesë Ukrainën përmes trajnimit të forcave luftarake ukrainase, në fushën e deminimit si dhe ka dhuruar shumë herë pajisje, automjete dhe municion të kalibrave të mëdhenj”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës është një forum ndërkombëtar që përfshin mbi 50 shtete, duke koordinuar mbështetjen për Ukrainën që nga fillimi i agresionit rus. Ky takim rikonfirmon angazhimin e Kosovës si pjesë e koalicionit për mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar.

Komento: