
Një krim i rëndë ka tronditur qytetin e Dortmundit në Gjermani, ku policia gjeti të vdekur një burrë në shtëpinë e tij, i cili dyshohet se u vra nga djali i vet.
Sipas gazetës gjermane Bild, viktima është Harald N., një pediatër i njohur në Dortmund.
I biri 41-vjeçar u dorëzua vetë në Polici, ku e prani se e kishte privuar nga jeta të atin.
Hetuesit po punojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e krimit.
Trupi i viktimës do t’i nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Prokuroria pritet të vendosë sot nëse do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Harald N. jetonte i vetëm në shtëpinë e tij prej vitesh, pasi bashkëshortja e tij kishte vdekur në vitin 2019.
Ai thuhet se kishte fituar respekt të madh për punën e tij dhe angazhimin në mbështetje të prindërve të fëmijëve të sëmurë me kancer.