
Diplomati estonez, Aivo Orav, pak para se të përmbyllte angazhimin e tij si shef i Zyrës së BE’së në Kosovë, kishte thënë se mund të shfrytëzohej diplomacia për të gjetur mënyra që të shtyhej përpara themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, meqë pavarësisht insistimit të BE-së, Kosova nuk po e çon draft-statutin në Gjykatë Kushtetuese. Sipas Orav, nëse vazhdohet të insistohet në një qëndrim të tillë e ndërkohë s’ndërmerret asnjë veprim, atëherë nuk përfiton askush.
Por a ishte ky qëndrim i Orav si Shef i Zyrës së BE-së edhe qëndrim i shteteve anëtare të BE-së?
Zëdhënësja e Ambasadës Gjermane, Catalina Heine, ka thënë se për Gjermaninë është prioritet që të shoh hapa drejt themelimt të Asociacionit si një detyrim ndërkombëtar që Kosova e ka marrë që nga 2013-ta.
Ajo ka thënë se Asociacioni duhet të themelohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës prandaj duhet që Gjykata Kushtetuese të përfshihet në vlerësim para zbatimit.
“Për Gjermaninë, është prioritet që të shohë përparim në zhvillimin dhe zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që ka qenë një detyrim ndërkombëtar që nga viti 2013. Shpresojmë të shohim diskutimet e nevojshme dhe më pas përparim në krijimin e Asociacionit. Dhe sigurisht, çdo zbatim i Asociacionit duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për këtë arsye Gjykata Kushtetuese duhet të përfshihet për vlerësim para zbatimit”, ka thënë Heine për Gazetën Express.
Heine gjithashtu ka potencuar se tema e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe diskutohet shpesh, sa herë që ka takime me Qeverinë e Kosovës e ku flitet për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, proces ky që Berlini zyrtar e përkrah.
“Duke qenë se rruga drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, të cilën Gjermania e mbështet fuqimisht, është një pikë diskutimi e rregullt midis Ambasadës dhe Qeverisë së Kosovës, edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe diskutohet shpesh”, ka thënë zëdhënësja e Ambasadës Gjermane..
Bashkëkombasi i kryediplomates së BE-së, Aivo Orav, i cili tashmë do të angazhohet si Shef i Delegacionit të BE-së në Ankara, në një intervistë për gazetarë të mediave serbe në Kosovë, ka deklaruar se BE-ja e ka mbajtur shumë gjatë qëndrimin e saj për çuarjen e Draftit të Asociacionit në Kushtetuese, megjithatë sipas tij s’ka pasur asnjë lëvizje. Ai ka thënë se një qëndrim i tillë mund të vazhdohet të mbahet, por nëse dihet se s’do të ndodh asgjë, atëherë një qasje e tillë s’i ndihmon askujt.
“Bashkimi Evropian e ka mbajtur këtë qëndrim për një kohë mjaft të gjatë që ky draft i Asociacionit së duhet t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Ai nuk është dërguar ende. Gjykata Kushtetuese tha gjithashtu se në fakt ata nuk kanë çfarë të bëjnë sepse nuk kanë autoritet ta vlerësojnë atë. Dhe ky qëndrim u mbajt për një kohë mjaft të gjatë. Përsëri, ne mund ta mbajmë këtë qëndrim për një kohë shumë, shumë, shumë të gjatë, por nëse e dimë se nuk do të ndodhë, atëherë mendoj se ky lloj qasjeje nuk i ndihmon askujt. Pra, në diplomaci, ne duhet të gjejmë mënyrat se si t’i trajtojmë këto çështje”, ka thënë Orav.