Gjermania i kërkon Vuçiqit të vendosë: Nëse s’e zgjedh BE-në, e presin pasoja

14:53 | 01 November 2022

Gjermania po shton presionin ndaj autoriteteve serbe për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, shkruan gazeta gjermane Welt.

Burime të gazetës nga qeveria gjermane thonë se rreshtimi me Rusinë do të kishte pasoja për Serbinë.

Berlini kërkon që Serbia të vendosë ose për rrugën drejt Bashkimit Evropian ose për partneritet me Rusinë, thonë burime të gazetës Welt nga Berlini. “Domosdoshmëria e vendimit po rritet në funksion të zhvillimit gjeopolitik”, ka thënë një përfaqësues i Qeverisë për gazetën gjermane.

Siç thuhet më tej, në Berlin ishin “të habitur dhe të zhgënjyer” kur Serbia nënshkroi Planin e Konsultimeve të Ministrive të Punëve të Jashtme me Rusinë, sepse, siç thonë ata, kjo nuk e mbështet pritjen se Beogradi do të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Ai plan, i cili u kritikua nga Perëndimi, u nënshkrua në shtator nga ish-ministri i Jashtëm serb Nikolla Selakoviq dhe homologu rus Sergej Lavrov në Nju Jork. Në Beograd, ata më vonë pohuan se ishte një plan konsultimi informal.

Siç vazhdon tutje raportimi i Welt, në Berlin mbizotëron përshtypja se presidenti serb Aleksandar Vuçiq është një politikan me përvojë, i cili është i vetëdijshëm për pozicionin aktual mes BE-së dhe Rusisë.

Thuhet se Vuçiq mund të presë mbështetjen e qeverisë gjermane nëse vendos ta udhëheqë vendin drejt BE-së. “Nëse ai vendos të marrë një rrugë tjetër, do të ketë pasoja”, shton gazeta.

Përpara Samitit të rëndësishëm për Ballkanin

Në Berlin këto ditë po zhvillohet diplomaci aktive në lidhje me Ballkanin. Aty u mblodhën një numër i madh ekspertësh në rajon dhe politikanë, në prag të samitit të Procesit të Berlinit, ku të enjten (3 nëntor) duhet të nënshkruhen marrëveshjet për lirinë e lëvizjes dhe njohjen e dokumenteve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Zëvendëskryeministri i ri i Qeverisë së Serbisë dhe ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq tha së fundmi se Qeveria “nuk po shqyrton” vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.

Ai theksoi se konkluzionet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të nxjerra në fillim të luftës në Ukrainë janë ende të vlefshme. Në të thuhet se Serbia respekton integritetin territorial të Ukrainës dhe se refuzon të vendosë sanksione ndaj Moskës. /

Komento: