Merkel thotë se Gjermanisë i duhen punëtorë nga jashtë Bashkimit Evropian.
Gjermania tash e disa vjet po përballet me mungesën e fuqisë punëtore. Kjo po i shkakton probleme dhe po e nxit ikjen e bizneseve nga ky vend. Prandaj është ngritur alarmi për t’i mbushur këto boshllëqe.
Vendi më i fuqishëm në Evropë po kërkon punëtorë nga Meksika, Vietnami dhe India.
Kancelarja gjermane Angela Merkel, e ka ngritur këtë shqetësim edhe në një konferencë për media.
“Ne e dimë se shumë sektorë dhe biznese janë në kërkim të punëtorëve të aftë. Pa punëtorë të aftë, një biznes nuk mund të jetë i suksesshëm. Kjo është arsyeja se pse është e nevojshme që ne të bëjmë çdo përpjekje për të rekrutuar specialistë. Përndryshe, kompanitë do të duhet të migrojnë dhe natyrisht ne këtë nuk e duam”-u shpreh Merkel.
Ky paralajmërim vjen pak ditë para takimit midis përfaqësuesve të qeverisë, punëdhënësve dhe sindikatave.
Sipas të dhënave tanimë janë mbi 2 milionë punëtorë të huaj që punojnë në Gjermani.
“Nuk është e mjaftueshme dhe kjo është arsyeja se pse ne duhet të kërkojmë punëtorë të aftë nga jashtë Bashkimit Evropian”, tha Merkel, njofton Tagesspiegel.de përcjell Klan Kosova.
Më 1 mars të 2020-së pritet të hyjë në fuqi Ligji gjerman për Fuqinë Punëtore, i cili rregullon me detaje ardhjen e tyre nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.
Sipas Ligjit, për herë të parë mund të vish në Gjermani edhe me një vizë gjashtë mujore për të kërkuar punë duke i mbuluar personalisht shpenzimet për këtë periudhë.
Përveç kësaj të rinjtë nën moshën 25 vjeç që kanë mbaruar shkollën, mund të vijnë për të kërkuar një vend kualifikimi për deri në gjashtë muaj, nëse matura e tyre i kualifikon për shkollë të lartë, nëse njohin gjermanishten në nivelin B2 dhe e sigurojnë vetë jetesën në këtë kohë.
Gjermania ka më shumë nevojë për inxhinierë, kuzhinierë, infermierë, punëtorë të kujdesit shëndetësor për të moshuarit, teknikë të teknologjisë dhe programer.