
Gjermania konfirmon mbështetjen për Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Anëtari i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Knut Abraham, ka deklaruar se Qeveria e Gjermanisë ka konfirmuar mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Deputeti gjerman këtë e bëri të ditur përmes një postimi në Twitter, ku ndër të tjerash publikoi edhe një pyetje që i ka bërë Qeverisë së Gjermanisë rreth asaj nëse do të mbështes apo jo Kosovën, nëse kjo e fundit do të aplikonte në Këshillin e Evropës.
Si përgjigje në këtë rast, Abraham shkroi se Qeveria e Gjermanisë ka deklaruar se mbështet një gjë të tillë.
“Qeveria federale mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Është me rëndësi, që për këtë çështje të mbesim në koordinim të ngushtë me partnerët tanë në BE dhe në Këshill të Evropës”, është thënë në përgjigjen e Qeverisë së Gjermanisë.
Lidhur me aplikimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës është deklaruar së fundi edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Osmani është shprehur optimiste për anëtarësimin e vendit në Këshill të Evropës, por që sipas saj nga aplikimi deri në anëtarësim duhet një periudhë kohore.
“Jemi në fazën e fundit të përgatitjeve për aplikim, por ta keni parasysh se për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shteteve të ndryshme, iu është dashur kohë e ndryshme për pranim. Dikujt i është dashur 1 vjet e dikujt tjetër 5 vjet për anëtarësim. Ne po punojmë që me partnerët tanë kjo kohë të jetë sa më e shkurt.Siç e dini më shumë se 2/3 e shteteve anëtarë të këshillit të Evropës e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës dhe ne shpresojmë se këto do të votojnë në favorin tonë”, pati deklaruar Osmani.
Ndryshe diskutimi lidhur me aplikimin e Kosovës është bërë edhe më i zëshëm pas zhvillimeve të shumta në mes Ukrainës dhe Rusisë, e që padyshim kanë prekur gjithë botën.