Ekspertja gjermane tregon pse po vonohet në Gjermani ligji që ofron mundësi punësimi për kosovarët.
Ekspertja gjermane Carola Burkert, në një intervistë për Deutsche Welle, flet për ligjin për fuqinë punëtore, i cili po shihet si mundësi edhe për kosovarët për një vend pune në Gjermani.
Burkert tregon mbi problemet e ligjit, vonesat në ambasada e punëdhënësin që mund ta lehtësojë situatën.
“Kjo vonesë ka arsyet e saj, zbatimi i ligjit kërkon një adoptim të madh të rregulloreve e neneve që lidhen me të. Këtu mund të bëjmë edhe një lidhje me Rregulloren e Ballkanit Perëndimor. Duhet që të përgatitet administrata. Ka një ide për krijimin e disa autoriteteve qendrore për të huajt, ku do të përqëndrohen procedura të ndryshme. Ardhja e një numri të ri të punëtorëve të kualifikuar do ta vendosë administratën para sfidave të mëdha, sepse do të ketë një shtim të ri të kërkesave për vizë”, thotë ajo.
Ligji i ri për fuqinë punëtore që miratoi kabineti gjerman e që hyn në fuqi më 1. janar 2020 për shumë vetë nga Shqipëria e Kosova është si premtim për një jetë më të mirë, punë në Gjermani, e ardhme më e mirë…a mendoni edhe ju kështu?
Burkert: Ligji i ri për fuqinë punëtore ka njëherë si qëllim përmbushjen e nevojave për fuqi punëtore të ekonomisë gjermane dhe sigurimin e kontrollimin e fuqisë punëtore nga vendet e treta. Ky është sigurisht një sinjal për fuqinë punëtore nga vendet e treta, se tani fokusi është tek punëtorët e kualifikuar, e nëse e ke këtë kualifikim, atëherë vërtet mund të jetë premtuese, një ëndërr që realizohet.
Deri në këtë pikë rruga nuk është e lehtë, ku i shihni lehtësimet për ardhjen e fuqisë punëtore?
Burkert: Risitë mund të përmblidhen në tre pika: Së pari ai barazon personat me shkollim profesional me ata me universitet, më parë ardhja e fuqisë punëtore lidhej vetëm me ata që kishin kryer studime universitare. Së dyti lehtësim do të sjellë vërtet heqja e verifikimit të prioritetit (nuk verifikohet më, nëse për një vend pune ka një kandidat gjerman apo nga BE shën. red.) E reja tjetër është, e kjo mund të konsiderohet si vështirësim, se kërkohet e çertifikuar njohja e gjuhës gjermane si kriter për punën apo për ekuivalentimin e diplomave profesionale të huaja. Pra, dy lehtësime dhe një vështirësim.