Gjermania me masa të reja kundër COVID-19 – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Gjermania me masa të reja kundër COVID-19

20:22 | 03 Gusht 2022

Qeveria gjermane më 3 gusht tha se masat bazike ndaj koronavirusit do të jenë në fuqi gjatë vjeshtës dhe dimrit, periudhë kur ekspertët presin që rastet me COVID-19 të rriten sërish, pasi njerëzit kalojnë më shumë kohë në ambiente të mbyllura.

Maskat dhe paraqitja e dëshmisë se një person nuk është i infektuar do të jenë të obligueshme duke filluar nga muaji tetor dhe deri në prill të vitit të ardhshëm në shtëpitë e kujdesit dhe institucionet e ngjashme që trajtojnë personat më të cenueshëm.

Pasagjerëve në aeroplanë dhe ata që udhëtojnë me tren dhe autobus në destinacione të gjata, po ashtu do t’iu kërkohet që të mbajnë maska gjatë kësaj periudhe.

Megjithatë, 16 shtetet e Gjermanisë kanë autoritet për të miratuar rregullat e veta, varësisht situatës me pandeminë. Qeveritë shtetërore po ashtu mund të vendosin për bartjen e maskave në transportin publik, në shkolla apo në ngjarje publike që zhvillohen në ambiente të mbyllura.

Ndërtesat publike sikurse shkollat, burgjet dhe strehimoret për azilkërkues mund të aplikojnë testim të rregullt nëse rastet me koronavirus rriten, thanë ministrat e Shëndetësisë dhe Drejtësisë përmes një njoftimi të përbashkët.

Qeveria gjermane po ashtu ka plane që të nisë një fushatë për vaksinim kundër koronavirusit gjatë vjeshtës.

“Gjermania duhet të përgatitet më mirë për koronavirus në dimër, më mirë sesa vitin e kaluar”, tha ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach.

Masat e reja duhet të marrin miratimin e kabinetit dhe Parlamentit para se të hyjnë në fuqi dhe pritet që ato të miratohen në dy institucionet./REL

Komento: