Gjermania vazhdon ta ndihmojë Ukrainën.
Ministri gjerman i Drejtësisë, Marco Buschmann, tha se dërgesat e tankeve dhe armatimeve të tjera të rënda në Ukraina, sipas ligjit ndërkombëtar, nuk do të përbënin hyrje të Gjermanisë në luftë kundër Rusisë.
Buschmann i tha gazetës Welt am Sonntag më 16 prill se ligji ndërkombëtar nuk thotë se dërgimi i armëve është hyrje në një luftë.
Prandaj, nëse Ukraina “ushtron të drejtën e saj legjitime të vetëmbrojtjes, mbështetja përmes furnizimeve me armë nuk të shndërron në palë në luftë”, tha ai.
Shumë politikanë gjermanë dhe qytetarë kanë debatuar se sa thellë duhet të përfshihet shteti në mbështetjen e Kievit me ndihmë ushtarake, pasi Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.
Shtetet perëndimore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë rritur dërgesat e tyre me armë për forcat e Kievit, pas thirrjeve dëshpëruese të liderëve ukrainas që shtetet ta furnizojnë Ukrainën me armë.
Gjermania i ka ofruar qindra miliona dollarë ndihmë humanitare Ukrainës.
Kancelari gjerman, socialdemokrati Olaf Shcolz, ende nuk ka dhënë ndonjë qëndrim publik lidhur me mundësinë e dërgimit në Ukrainë të armatimit të rëndë, sikurse tanket, helikopterët apo avionët, edhe pse thirrjet që të marrë një vendim të tillë janë rritur brenda koalicionit qeverisës në Gjermani.
Buschmann, nga partia Demokratët e Lirë, që është partia më e vogël në koalicion, tha se Gjermania ishte në mesin e shteteve të para që nisi hetimin e krimeve të mundshme të luftës në Ukrainë, teksa policia federale dhe prokurori i Përgjithshëm po udhëheqin hetimet.
“Nuk ka asnjë dyshim se mizori të tmerrshme po kryen në Ukrainë nga forcat ruse”, tha ai.