Gjermania në kërkim të punëtorëve, ka 558 mijë vende të lira

22:30 | 15 May 2022

Gjermania është në kërkim të punëtorëve.

Në Gjermani, situata me mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar në tremujorin e parë të këtij viti u përkeqësua më tej, raportoi të shtunën Instituti i Ekonomisë Gjermane (IW).

“Në mars, numri i vendeve të punës të paplotësuara për të cilat punëdhënësit nuk janë në gjendje të gjejnë një fuqi punëtore të përshtatshme u rrit me 88.000 dhe tani qëndron në një nivel rekord prej 558.000,” tha Instituti i Ekonomisë Gjermane, i cili citon hulumtimet e veta.

Mungesa e punëtorëve të kualifikuar, sipas anketës, prek të gjitha segmentet e tregut të punës, por është veçanërisht e theksuar në fushën e shëndetësisë, mirëqenies sociale, arsimit dhe ndërtimit.
“Vetëm në sektorët e shëndetësisë, kujdesit social dhe arsimit, gjashtë nga dhjetë vende pune nuk janë plotësuar për shkak të mungesës së fuqisë punëtore adekuate,” tha IW në një deklaratë.

Në vitet e pandemisë 2020 dhe 2021, fluksi i fuqisë punëtore të kualifikuar nga jashtë u ngadalësua, por tendenca e rritjes së numrit të vendeve të punës të paplotësuara filloi shumë më herët. Një nga arsyet është tërheqja e brezit të fortë numerik nga mesi i viteve pesëdhjetë.

Të shtunën u publikua informacioni i qeverisë federale, sipas të cilit numri i pensionistëve, përkatësisht personave që kanë mbushur moshën 67-vjeç dhe që janë ende aktivë në tregun e punës, është në rritje vitet e fundit.

Vitin e kaluar, 1.05 milionë persona mbi 67-vjeç ishin në një formë punësimi, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2010, kur vetëm 685.000 pensionistë do të vazhdonin të punonin përveç daljes në pension.

Pjesërisht, ky fenomen lidhet me mungesën e profesionistëve, prandaj punëdhënësit kthejnë shumë punëtorë të kualifikuar në punët e tyre të vjetra pas daljes në pension.
Krahas importit të shtuar të ekspertëve nga vendet e Bashkimit Evropian, Gjermania ka lehtësuar procesin e marrjes së lejeve të punës dhe qëndrimit për banorët e vendeve jashtë BE-së. Kështu që nga viti 2016 është në fuqi një program për punësimin e punëtorëve nga Ballkani Perëndimor, i cili mundëson migrimin në tregun gjerman të punës.

Menjëherë pas fillimit të luftës në Ukrainë, punëdhënësit dhe sindikatat kërkuan nga autoritetet që të heqin pengesat burokratike në mënyrë që të integrohen sa më shpejt refugjatët nga Ukraina në tregun gjerman të punës.

Komento: