Gjermania: Presim zbatim pa kushte të Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë edhe Asociacionin

14:23 | 27 Prill 2023

“Gjermania mirëpret marrëveshjen e arritur në Ohër në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Kështu kanë deklaruar nga Zyra e Kancelarit të Gjermanisë, të pyetur se cilat janë pritjet e Gjermanisë nga takimi i 2 majit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së.

Zyra e Kancelarit gjerman deklaron se ky shtet, mirëpret marrëveshjen e arritur në Ohër, për aneksin e zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Gjermania poashtu nxit palët, kosovare dhe atë serbe, që në mënyrë të përshtatshme të zbatojnë të gjitha obligimet pa asnjë kusht.

“Gjermania rikujton se së bashku me partnerët e saj evropianë dhe ndërkombëtarë, nxit të dyja palët që të zbatojnë në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim të gjitha obligimet e tyre përkatëse dhe pa asnjë kusht, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në përgjigjen e tyre dhënë për RTK-në.

Sipas shtetit gjerman, takimi i radhës i nivelit të lartë më 2 maj është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.

Komento: